Denis Shtraza, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku, u arrestua në Aeroportin Nënë Tereza teksa tentonte të largohej jashtë vendit.
Pak orë më vonë, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se gjykata ka dhënë urdhër ndalimi për shtetasin Ervin Dalipaj, si bashkëpunëtor në krim.
Ai tashmë është në kërkim, ndërsa rezulton të ketë qenë më parë oficer policie në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm e më pas shef i sektorit të Krimit Ekonomik në Tiranë, por i larguar nga detyra në dhjetor të vitit 2013 nën akuzën e dekonspirimit të operacioneve për lojrat e fatit.
Shtraza dhe Dalipaj janë të implikuar në vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku, i cili u rrëmbye në mënyrë demonstrative në qytetin e Durrësit e më pas u gjet i torturuar e i vrarë në një fshat të Krujës.
Policia ka zbardhur dy vrasje me këtë rast, për shkak se motivi i saj ka qenë hakmarrja. Duke hetuar në këtë drejtim, ajo doli në përfundimin se ishte Shtraza autori material. Ai u prangos pak para se të largohej nga Shqipëria, duke përdorur aeroportin e Rinasit.
Policia e kishte vënë nën vëzhgim për të mbledhur më shumë prova dhe për të arrestuar të tjerë bashkëpunëtorë të tij, por e prangosi duke mos e lënë Shtrazën të largohej nga Shqipëria. Grupi hetimor ka prova materiale se Shtraza ishte njeriu që kreu ekzekutimin.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka treguar edhe detaje për këtë ngjarje të ndodhur më 6 janar të këtij viti. Pas ngjarjes policia ka ndaluar dhe kontrolluar një automjet tip ML, i cili drejtohej nga shtetasi Shtraza dhe që shoqërohej nga një person tjetër.
Gjatë kontrollit të mjetit, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Nga kjo e dhënë, policia ka krijuar dyshime dhe ka vendosur bllokimin e përkohshëm të mjetit, ndërkohë që dy personat e shoqëruar janë lënë përkohësisht të lirë.
Ndërkohë, nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndër të tjera, është bërë edhe kqyrja e kufomës dhe është urdhëruar ekspertiza.
Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur viktima, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese.
Po ashtu, nga ekspertiza mjetit tip ML, në pjesën e pasme të saj, u gjetën disa gjurmë gjaku. Këto gjurmë, pasi u krahasuan, rezultuan të njëjta me gjurmën e gjakut të gjetura në fashën plastike me të cilën ishte lidhur viktima Çollaku.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se këta persona duhet të kenë qenë pjesë e pengmarrjes dhe vrasjes së shtetasit Çollaku.
Diskutime rreth kësaj post