Katër vite më parë, mbi një milion njerëz dolën në zgjedhje dhe gjëja e parë që menduan të bëjnë ishte të heqin qafe një qeveri, e cila, edhe pas tetë viteve, nuk ishte asgjë tjetër veçse trajta çnjerëzore e regjimit despotik, dhe që, në memorien e saj kishte ngjarje të llahtarshme, si Gërdeci, 21 Janari, vjedhja masive në Rrugën e Kombit, krijimin e një oligarkie politike e financiare njëkohësisht, aktin e turpshëm të shitjes së trojeve shqiptare, një korrupsion të paimagjinueshëm. Në tetë vite qeveria Berisha, përmes zënies në çark të gjyqësorit në të gjitha hallkat, kishte mposhtur shtetin.
Në fakt, njerëzit kur votuan kishin në bindjen e tyre se qeveria Rama njërin ndër aktet më themelore do të ishte pikërisht ndëshkimi i së keqes që kishte zaptuar vendin, dhe ky, si ishte pritur, do të ishte njëri ndër ndëshkimet për të cilat nuk do i vinte keq askujt që kishte mend në kokë dhe që e donte vendin e tij.
Thuajse katër vite pritje, e gjatë, e lodhshme dhe e zvarritur. Në katër vite të qeverisjes Rama jo vetëm që nuk u ndëshkua asnjëra nga aferat e mëdha dhe bartësit e tyre, por tani, si pa të keq, në një bisedë nate, shefi i qeverisë, ata, për të cilët votuam se duhet të ishin në burg, i bën pjesë të qeverisë dhe ndan me to tortën e pushtetit.
Është folur kaq shumë për një paketë të dërguar nga Evropa dhe të përforcuar nga Departamenti i Shtetit. Është thënë e stërthënë nga opozita për mjerimin e kësaj qeverie, e cila duhej përmbysur me dhunë dhe shefi i saj duhej hedhur në ujërat e Lanës. Në secilën ditë janë hedhur nga një çadër në bulevard aq shumë llum e baltë mbi Shqipërinë, sa nuk kanë hedhur as armiqtë më të egër të këtij vendi. Nuk është lënë gjë pa thënë për një shtet, para të cilit Kamorra të dukej lule, për qeveritarë ndaj të cilëve Al Kapone dukej i ndershëm; shembujt të më zinj të botës së krimit janë paraqitur përmes qeveritarëve shqiptarë. Katër vite në parlament dhe 90 ditë në një çadër, e cila as që nuk duhej lënë të ishte ngritur, por që u bë kasneci i së keqes.
Tani, për hir të një tekeje qeveritare, të shefit të qeverisë, këto tellallë të së keqes, që dje, në pushtet ishin vjedhës kolosalë, vrasës, mashtrues, hajdutë votash e zgjedhjesh, cinikë dhe hedhës në erë të fabrikave të vdekjes, që paratë i nxirrnin edhe duke shfrytëzuar gjakun e fëmijëve, u bënë “burra” të mirë, po harrohet se çfarë ka ndodhur, përse u votuan. Ndëshkimi që njerëzit prisnin u kthye në shpërblimin e së keqes.
Paketa e dërguar dhe e shumë përfolur shkoi më tej se gjithçka ishte menduar. U bë një superpaketë, ku pluset e saj përfshinë edhe gjëra që nuk ishin menduar.
Çfarë lidhje me ALUIZNI me kauzën e votave të lira? Po OSHEE dhe një drejtori Bujqësore? Si do të jetë një ditë të ardhshme dekriminalizimi përmes çështjeve sociale dhe rinisë? Një herë, për hir të çadrës, budallshëm, u hoqën katër ministra, tani edhe gjashtë të tjerë, plus zëvendëskryeministri.. kush mbeti?
Përralla se ata do të jenë teknikë është për një natë të gjatë dimri, por zgjedhjet bëhen në qershor dhe qershori i ka netët e shkurtra.
Dekriminalizimi e ka gjithnjë një fillesë: ndëshkimin e së keqes që ka ndodhur. Nga shkaku i këtij dekriminalizimi mund të largohet nga parlamenti një deputet sepse ka një gjobë për tejkalim shpejtësie, por qëndron deputet një njeri si Berisha, i cili, veç të tjerave, mban mbi kurrizin e tij dy nga ngjarjet më makabër të tetë viteve pushtet – Gërdecin dhe 21 Janarin. Mund të largohet një deputet se kur ishte ushtar është zënë me një shok të tij, por Rama bën krushqi me një njeri, i cili, në tri herët e provuara si ministër ka lënë pas vetes tri gjëma të mëdha, si ndodhi me Bashën.
Njerëzit në katër vite pritën ndëshkimin e së keqes që ajo të mos përsëritet. Që të mos vijë përsëri në jetën e tyre, qoftë në trajtën e së majtës, qoftë në formën e së djathtës.
Kjo nuk ndodhi.
Lodhja është rraskapitëse. Në kufirin e asaj që nuk mund të bartë përtej vetes.
Hajdutëve dhe vrasësve Rama, me një tre orësh bisedë të tej mbushur me enigmën e përballjes sy ndër sy, u dha thuajse gjysmën e qeverisë, kur shumë nga ne prisnim durueshëm dhe me shpresë se do ia jepte drejtësisë. /DITA
Diskutime rreth kësaj post