Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u ka kërkuar udhëheqësve boshnjakë ditën e sotme që të punojnë së bashku për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi krahu ekzekutiv i bllokut rekomandoi që t’i jepet statusi i kandidatit për në BE .
Bosnja ka aplikuar për t’u bashkuar me bllokun në vitin 2016, por liderët e saj rivalë etnikë nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të nisur reformat që u përcaktuan si të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.
Von der Leyen u kërkoi udhëheqësve të mblidhen për ta kthyer Bosnjën, “në një vend të ëndrrave të të rinjve”.
“Dera e Bashkimit Evropian është e hapur, ju lutem shfrytëzoni rastin dhe përdorni këtë ftesë, dhe kjo varet nga ju tani,” u tha ajo politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile gjatë një vizite në Sarajevë, pjesë e një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni këtë muaj rekomandoi që Bosnjës duhet t’i jepej statusi. Gjatë vitit të kaluar, vendi ballkanik ka përjetuar krizën e tij më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, i ndarë midis politikave secesioniste të liderit të tij serb Milorad Dodik dhe grindjeve midis boshnjakëve dhe kroatëve për rregullat zgjedhore.
Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë mbi statusin e kandidaturës në dhjetor edhe pse analistët dyshojnë se Bosnja do të jetë në gjendje të trajtojë reformat e nevojshme deri atëherë, veçanërisht pasi qeveritë e reja nuk janë formuar ende pas zgjedhjeve të 2 tetorit.
Von der Leyen u shpreh se Bosnja do të merrte rreth 70 milionë euro nga paketa e BE-së për sigurinë energjetike për Ballkanin Perëndimor si mbështetje të menjëhershme për familjet dhe firmat në nevojë.
Diskutime rreth kësaj post