Raportuesja në Parlamentin Europian në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Viola von Cramon ka bërë me dije se priten zhvillime në lidhje me dialogun mes dy vende, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe zgjedhjeve në shtetin serb. Sipas saj, të dy liderët, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç edhe kryeministri kosovar Albin Kurti, do të jenë shumë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre drejt votuesve deri në fund të zgjedhjeve, aq më tepër kur bëhet fjalë për negociatat. Gjithsesi ajo është shprehur shpresëplotë se me kalimin e kësaj periudhe dhe përfundimin e zgjedhjeve, negociatat do të vijojnë normalisht, me shumë mundësi që me ardhjen e shtatorit.
“Ky është një proces shumë i gjatë dhe ne shohim që kemi zgjedhje në të dy vendet. Gjatë asaj periudhe, është shumë e vështirë që opinioni vendor të pajtohet për disa reforma më të thella ose ndryshime të mëdha. Në këtë drejtim, unë shoh që ka përparim. Të dy udhëheqësit po takohen, dhe unë do ta quaja këtë një sukses. Ne duhet të shohim nëse po bëjmë përparim dhe ne në BE do të donim që të ishte më i shpejtë”, u shpreh ajo në një prononcim për televizionin “N1”. Zonja von Cramon u shpreh se është e kuptueshme një ngurtësi dhe kujdes në periudhë zgjedhore nga të dy liderët, por pas zgjedhjeve gjërat mund të jenë më të relaksuara.
“Unë pres që Vuçiç dhe Kurti të tregojnë lidership, sepse të dy liderët kanë mbështetje të konsiderueshme në Parlament dhe tek votuesit. Qëllimi i negociatave nuk është të vendosen parakushte dhe të thuhet se çfarë kërkohet dhe pritet nga dikush, por të shikohen hapat individualë dhe rezultatet. Shpresoj që të dy udhëheqësit të jenë të përkushtuar ndaj integrimit evropian. Ata e dinë që nuk është e lehtë, por është e mundur dhe kjo çon drejt suksesit. Unë supozoj se të gjithë ata që i shikojnë këto negociata në mënyrë reale mund të presin që rezultati është një lloj njohjeje ose një lloj pranimi i status quo-s”, tha Von Cramon.
Raportuesja për dialogun nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Von Cramon theksoi se tensionet tek popullata po rriten, dhe kjo është arsyeja pse pjesëmarrësit në dialog dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë më shumë për të arritur njerëzit e zakonshëm në veri të Kosovës, jo vetëm të nacionalitetit serb, që të ndihen të integruar. Ajo vuri në dukje se Prishtina është zotuar për krijimin e Asociacionit, por gjithashtu shtoi se institucionet në veri të Kosovës duhet të integrohen në sistemin e Kosovës. Për Kurtin, Von Cramon ka thënë se është një person i ri në postin e kryeministrit, dhe se ai ka plane ambicioze të brendshme, si dhe se dëshiron të spastrojë me shprehitë e vjetra dhe modelet e vjetra të korrupsionit.
Vuçic i zhgënjyer nga Izraeli
Ndërkohë që të gjithë presin zhvillime në procesin e dialogut, Serbia vijon ti qendrojë faktit që përveçse nuk ka shanse të njohe sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës, pretendon mosnjohje edhe nga shtetet e tjera. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog është shprehur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli si pasojë e marrëveshjes së Washingtonit, ishte një zhvillim zhgënjyes p0ër atë personalisht dhe për qytetarët serbë. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të presidencës serbe, Vuçiç shprehu dëshirën që Serbia të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me udhëheqjen e re të Izraelit, të cilën ai uroi sukses në punën e saj, shtohet në njoftim. Gjithashtu, presidenti i Serbisë thuhet se ka shprehur pritshmërinë që presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, citohet të ketë thënë presidenti Vuçiq.
Po sipas mediave serbe, bashkëbiseduesit shprehën interes në përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak-ekonomik, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë, kulturës, arsimit dhe sportit.
Diskutime rreth kësaj post