Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE gjatë 3 dekadave të fundit ka ecur në një rrugë të vështirë. Tirana zyrtare nuk mundi as këtë vit të marrë vendimin pozitiv të Brukeslit për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare që do t’i hapte rrugë diskutimeve mbi kornizën negociuese dhe do të shënonte zyrtarisht çeljen e negocitave për anëtarësimin e Shqipërisë.
Ajo nuk arriti të plotësojë disa detyra që lidhen me funskionalitetin e gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë të bllokuara prej disa kohësh për shkak të vakancave si pasojë e Vetting-ut. Kritikët fajësojnë palët politike për mungesë të vullnetit politik, ndërsa zyrtarët thonë se pengesat në proçesin e integrimit erdhën kryesisht nga retorika e ndezur politike në vend.
Në Shqipëri proçesi i integrimit europian konsiderohet thelbësor për zhvillimet demokratike. Rrugëtimi ka qenë dhe mbetet i vështirë në këto 30 vite pas rrëzimit të regjimit komunist, më kthesa dhe zhvillime të papritura. Tiranës zyrtare ju lanë disa detyra nga Këshilli i ministrave të jashtëm të BE në mars, si parakushte për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare brenda vitit 2020 gjatë presidencës gjermane, e cila do të shprehej për kornizën negociuese. Kritikët e këtij proçesi thonë se ai është në krizë, dhe se Shqipëria nuk i përmbushi në kohë kushtet kryesore dhe se një prej tyre, siç ishte dhe funksionaliteti i gjykatës kushtetuese u plotësua vetëm para pak ditësh, kur kancelaritë në Brukesl e kishin mbyllur aktivitetin zyrtar.
“Nga kushtet e marsit kanë mbetur dhe funksionaliteti i gjykatës së lartë. Pjesë e atyre kushteve ka qenë dhe marrëveshja për reformën elektorale dhe zbatimin e saj. Ka qenë shumë e vështirë për të promovuar ofertën tonë drejt BE”, thotë për Zërin e Amerikës Gjergji Vurmo, hulumtues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Detyrat e mëtejshme të Shqipërisë janë vijimi i reformës në drejtësi, lufta lundër krimit dhe korrupsionit, rishikimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të komisionit të Venecias, ulja e numrit të azilkërkuesve, respektimi i pakicave i të drejtës së pronës etj. Kryetarja e Komisionit parlamentar të politikës së jashtme Mimi Kodheli, njëkohësisht dhe Zv.Presidente e Asamblesë Parlamentare të Natos thotë se Pandemia e Kovid 19, e spostoi vëmendjen e BE, megjithë përpjekjet e tij për të ruajtur moralin e vendeve anëtare dhe atyre kandidate.
“Nga pikpamja burokratike në kemi plotësuar çdo letër e thënë kjo në mënyrë metaforike dhe nga pikpamja politike kemi patur pengesa për shkak të konsumit të jashtakonshëm të retorikës politike që kemi brenda vendit, por dhe të disa pengesave që na kanë sjellë në mungesën e gjykatës kushetuese apo dhe disa mungesa të tjera që ishte faji i politikës por dhe faji i proçedurave.Shto këtu daljen e opozitës nga parlamenti, vajtja në zgjedhje lokale megjithë atë problematikë që pati. Pra të gjitha këto e penguan një proçes i cili mendohej se do të ishte në finalizim, sepse detyrat e shtëpisë ishin bërë”, i tha Zërit të Amerikës Kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme Mimi Kodheli.
Analistët mendojnë se Pandemia nuk ndikoi në proçesin e integrimit , dhe shtojnë se ajo u shfrytëzua nga qeveria si justifikim për vonesat.
Shqipërisë në mënyrë të vazhdueshme i është kërkuar nga zyrtarët e BE vijimi i reformave, një mesazh që u përcoll në Tiranë në fillim të muajit tetor edhe nga Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin.
“Të nderuar deputetë vijimësia e këtyre reformave nga ana e Shqipërisë duhet të jetë shumë e rëndësishme përsa i përket kuadrit negociues”, tha në fjalën e tij në parlament Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin Oliver Varheli.
Sot analsitët mendojnë se ka vend për të ngritur dyshime nëse ngërçi në funksionmin e sistemit të drejtësisë është krijuar për shkak të një reforme të nxituar apo si pasojë e mosbatimit si duhet të saj. Zonja Kodheli sjell këtë argument.
“Jo ligjet nuk kanë faj. Ligjet nuk bëhen njëherë e përgjithmonë. Nuk janë të përjetshme. Bëhen për t’u përmirësuar por nuk është ky rasti i reformës në drejtësi. Por askush nuk ka menduar në momentin e parë që 70-80% e gjithë fashës së gjyqtarëve do të dilte i pamundur për për të kaluar klasën. Kjo vështirësoi zbatueshmërinë e proçesit”, u shpreh Kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme Mimi Kodheli.
Ekspertët janë skeptikë dhe mendojnë se mungon vullneti politik i palëve në përmbushjen e detyrimeve në proçesin e integrimit. Studiuesja Blerjana Bino thotë se disa kushte kanë qenë ekskluzivisht në dorë të qeverisë, duke veçuar draftin antishpifje.
“Unë mendoj që jo vetëm qeveria por të gjithë aktorët politikë kanë një lloj vullneti politik të munguar për ta bërë realisht parësor proçesin e integrimit. Marrim përshembull rastin e ligjit antishpfije, ose për median on line. Nuk ekzistonte një kusht i tillë dhe në fakt vetëm nga mënyra se si u proçedua duket sikur qeveria vendosi në tavolinë këtë kusht duke e vështirësuar proçesin e integrimit të Shqipërisë”, u shpreh për Zërin e Amerikës Dr.Blerjana Bino qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”
Zonja Kodheli e mbështet një ligj që i vë fre shpifjes siç shprehet ajo, dhe sqaron se po bëhen përpjekje që në rishikimin e tij të ketë një ekuilibër mes rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe dekretit të Prsidentit të republikës që kërkon rishqyrtim të këtij drafti. Zyrtarët mendojnë se proçeset integruese nuk duhen parë jashtë zhvillimeve në vetë vendet e BE dhe thonë se vendimet merren nga parlamentet e këtyre vendeve.
“Kancelarja Merkel, një mike e madhe e Shqipërisë me qeverinë e saj ishte dakort që negociatat të hapeshin gjatë presidencës gjermane por ndërkohë parlamenti mund të merrte një vendim tjetër. Dhe kjo i komplekson gjërat. Po të pyesësh përshembull Kroacinë se cili ka qenë vendi i vetëm skeptik gjatë proçesit të hapjes së negociatave të saj më BE ka qenë Hollanda. Hollanda vazhdon të jetë dhe sot në thonjëza “kjo delja e zezë” e Europës. Presidenti Makron pati dyshimet e veta. Gjeti një mënyrë elegante për të ndryshuar metodologjinë. Ka patur një fërkim midis vendeve të BE edhe për metodologjinë e re dhe mënyrën se si kjo metodologji do të zbatohet. Unë kam qenë pro metodologjisë së re pa ë bërë Shqipërinë një kavie apo eksperiment për të tjerët por them që Shqipërisë çdo kusht i bën mirë, mjaft të jetë vullneti i mirë politik”, u shpreh Kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme Mimi Kodheli.
Analisti Gjergji Vurmo i sheh këto deklarata të zonjës Kodheli si përpjekje më qëllim justifikimin e mosplotësimit të kushteve.
“Nuk do lodhesha të identifikoja fajtor tek vendet e BE megjithë mëkatet e tij për bllokimin e zgjerimit përmes metodologjisë. Por rajoni dhe rasti konkret Shqipëria ka dhënë aq shumë prova që provojnë rezistencën e brendshme jo të qytetarëve por të pushtetit që mundohet të kapet pas çdo argument vetëm për të qëndruar aty ku është”, Gjergji Vurmo, hulumtues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Zyrtarët mendojnë se BE mund të hedhë hapa konkret për negociatat pas zgjedhjeve të pritshme politike të 25 Prillit, të cilat do të jenë një tjetër test për Shqipërinë, që gjithashtu i shtohet listës së detyrave të mëhershme të shtëpisë. Ata sjellin në vëmendje anëtarësimin e Shqipërisë në Nato në vitin 2008, edhe pse nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet, dhe veçojnë ndihmën që ju dha nga SHBA për t’u ngritur në vijimësi në lartësinë e vendeve anëtare të alenancës.Por një argument i ngjashëm duket se nuk vlen për integrimin në BE, dhe është krejt e qartë se, vetëm plotësimi i kushteve do të bëjë, që Shqipëria të kalojë pragun e Europës.
Diskutime rreth kësaj post