Start-Up Europe: Prezantohen 12 plan biznese në çelje të sajVlorë, 5 Shkurt
12 plan biznese u prezantuan në një aktivitet që u organizua nga Qendra e Informimit e BE-së në qytetin e Vlorës dhe Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, në kuadrin e Javës Evropiane të “Start-up”. Java Evropiane “Start-up”, një iniciativë globale e “Start-up Europe” (Komisioni Evropian), promovon nxitjen e sipërmarrjes, përmes eventeve konkrete, të cilat ndjekin formatin “Silicon Valley”.
Në këtë kuadër, u shpall konkursi i idesë “Start-up”, “From idea to life””, që synon mbledhjen e ideve më të mira iniovative për zhvillimin ekonomik në rajonin e Vlorës dhe punësimin e të rinjve dhe ku u përfshinë mjaft qytetarë mbi moshën 17 vjeç, të cilët aplikuan “online”, duke paraqitur idetë e tyre për biznes në fushën e turizmit, përpunimit ushqimor, artizanatit, tekstileve etj.
Mes tyre, 12 idetë e biznesit që u prezantuan në këtë aktivitet, të vlerësuara si risi në trendin ekonomik dhe të fokusuara kryesisht tek të rinjtë, u përfshinë në një proces mentorimi me ekspertë të fushës, për t’u orientuar më tej dhe për t’u standardizuar në përputhje me kriteret e vlerësimit. Dhe në vazhdim, 5 biznes planet më të mira të vlerësuara nga një komision ekspertësh kombëtarë, do të aplodohen në platformën evropiane “smartinno.eu”, e cila është realizuar si pjesë e projektit “SMART Innovation”, IPA Strategjik, financuar nga BE-ja.
Përmes saj krijohet mundësia për lidhje virtuale mes propozuesve të ideve të biznesit me “bussines angels”(engjëj biznesi), në Itali, Slloveni, Kroaci, Greqi, të cilët do të financojnë këto sipërmarrje.
Drejtoresha e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Mirela Koçi, thotë për ATSH-në se, këto aktivitete do të intensifikohen në kuadër të Qendrës së Inovacionit, Kërkimit Shkencor dhe Teknologjisë, që është në fazën finale të vënies në funksion. Në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e Qendrës për Informim e BE-së, ishin të pranishme edhe Pranvera Resulaj, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, si edhe Iliana Paparizo, këshilltare e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës. Përfaqësuesit e pushtetit lokal bënë një prezantim të burimeve ekzistuese në nivel lokal, për të ndihmuar Startup-et dhe sipërmarrësit e rinj si dhe një përshkrim të ligjeve dhe kontekstit fiskal për Startup-et. /a.ke/
Diskutime rreth kësaj post