Vlorë, kapen drogë, armë dhe municione; 2 të arrestuar
Policia e Vlorës ka sekuestruar 200 kg marijuanë, 2 automatikë dhe 300 fishekë, në një operacion ku u arrestuan edhe dy persona.
Të arrestuarit janë 49-vjeçari Çoban Tozaj, banues në fshatin Mallkeq të Vlorës dhe 24-vjeçari Mateos Bregu, banues në fshatin Kocul të Vlorës.
Policia e Vlorës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë ndjekjes së autorëve ka bërë të mundur lokalizimin e vendodhjes dhe kapjen e tyre në flagrancë, në një banesë pranë fshatit Mallkeq.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë të pabanuar në pronësi të shtetasit Çoban Tozaj, është gjetur një sasi marijuane me peshë totale prej 200 kg. Tozaj dhe Bregu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kishin për qëllim trafikimin e lëndës narkotike drejt Italisë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 200 kg marijuanë, 2 automatik model 56, 4 krëhër të mbushur me fishekë dhe 300 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Diskutime rreth kësaj post