Katër persona kanë humbur jetën këtë të shtunë në plazhet e Vlorës. Ngjarja më e rëndë është verifikuar në zonën e Zvërnecit, ku brenda pak minutash janë mbytur 3 persona.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 14:30 policia është njoftuar se pranë Gjirit të Portanovos ishin në rrezik mbytjeje dy persona.
Menjëherë shërbimet e policisë kufitare janë nisur me mjete lundruese për t’u ardhur në ndihmë, por pa mundur t’i shpëtojnë.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë dy femra dhe një mashkull dhe trupat e tyre janë nxjerrë tashmë nga uji. Ata janë identifikuar si shtetasit:
Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë;
Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë;
Beniamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni.
Të tre viktimat janë transportuar në morgun e qytetit, ndërkohë që grupi hetimor nga dëshmitë e mbledhura ka arritur të ndërtojë dinamikën e ngjarjes.
Kështu, nga rrëfimet e të pranishëmve rezulton se në fillim dy kushërirat Manuela Maraj dhe Xhoana Cani kanë hyrë në det për t’u larë, por kanë humbur ekuilibrin për shkak të dallgëve të mëdha.
E ndodhur në vështirësi, 27-vjeçarja Maraj ka thirrur për ndihmë dhe drejt tyre është nisur djali nga Maqedonia. Fillimisht 24-vjeçari Ferati ka nxjerrë në breg Xhoana Canin, por kjo e fundit nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të ujit të shumtë që kishte gëlltitur.
Më pas Ferati ka hyrë sërish në det për të shpëtuar Canin, por këtë herë as ai vetë nuk ka mundur të kthehet në breg pasi dallgët e mëdha e kanë përpirë.
Një tjetër pushues ka hyrë në ujë për t’iu ardhur në ndihmë atyre, por nuk ka mundur t’u afrohet për shkak të forcës së dallgëve, që e kanë kthyer mbrapsht. Ndërkohë, trupat e djalit dhe 27-vjeçares janë nxjerrë nga deti shumë larg nga vendngjarja.
Më herët gjatë ditës, po në Vlorë, një 14-vjeçar u mbyt në zonën e Ujit të Ftohtë.
Diskutime rreth kësaj post