Nga Fatjon Baze
Për herë të parë në histori dy klubet më të rëndësishme te futbollit shqiptar Vllaznia dhe Tirana ndodhet në një gjëndje kritike.
Dy ekipe që kanë bërë historinë në futbolllin tonë, ndeshen për herë të parë me njëra-tjetrën jo më për titullin kampion, por se kush do të qëndrojë në elitën e futbollit shqiptar.
Të shtunën në “Loro Boriçi”, Vllaznia dhe Tirana do të luajnë ndeshjen direkte për mbijetesë, dhe njëra mes tyre nuk do të jetë vitin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Me rënien e Tiranës futbolli shqiptar do të humbë “derbin” e kryeqytetit, ndeshjen më të bukur dhe emocionuese në vend, ndërsa me rënien e Vllaznisë, futbolli ynë do të humb një ekip me tradita, një tifozeri të kulturuar, dhe një ekip që çdo vit nxjerr mjaft talente.
Fakti që këto dy ekipe historike tregojnë se në çfarë gjëndje janë, shfaq gjithashtu dhe gjëndjen kritike se ku ka përfunduar futbolli ynë.
Kjo pasi përveç skuadrës së Vllaznisë dhe Tiranës në garë për të rënë në një kategori më poshtë janë dhe Laçi së bashku me Flamurtarin, por e gjithë vëmëndja është përqendruar vetëm tek ndeshja e Shkodrës.
Kjo është absurde, sepse takmi që Laçi ka kundër Teutës dhe Flamurtari ndaj Korabit, konsiderohen si ndeshje të lënë.
Pra, aty nuk do luhet futboll por do të jetë thjesht teatër sepse ekipet i kanë siguruar tre pikët që pa nisur 90-minutat, duke treguar haptazi sistemin e korruptuar që ka përfshirë futbollin tone, duke bërë që lufta për mbijetesë të përqëndrohet vetëm tek një takim.
Federata Shqiptare e Futbollit është përgjegjëse për këtë sistem të korruptuar që ka ngritur duke e sjellë gjëndjen e futbollit shqiptar në këtë pikë të rëndë.
Mjafton të kujtosh ndeshjen finale të titullit kampion mes Kukësit dhe Skëndërbeut, ku FSHF-ja vendosi arbitër Enea Jorgjin, i cili u rikhye nga dënimi pikërisht për të bërë atë maskaradë për ta degjeneruar atë finale të titullit.
Kjo dhe për shkak të urdhrave nga lart që ai kishte marrë për të bërë ato veprime skandaloze duke treguar fytyrën e verëtë të këtij sistemi të korruptuar.
Normalisht, Tirana dhe Vllaznia kanë mëkatet e tyre për gjëndjen ku kanë përfunduar, ku për bardheblutë mjafton të kujtosh ato dy ndeshje të lënë me Kukësin, ndërsa shkodranët atë sfidë me Skëndërbeun etj.
Por, sistemi i korruptuar i ngritur nga FSHF-ja duke e lënë garën të degradojë në këtë mënyrë, ka sjellë sot që një nga ekipet legjendare të futbollit shqiptar nuk do të jetë më në Kategorinë Superiore!
Do të jenë 90-minuta “fatale” jo vetëm për atë ekip që do bjeri, por edhe për futbollin shqiptar.
Diskutime rreth kësaj post