Për Bankën Qendrore Europiane dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria është duke përjetuar një përmirësim gradual të ekonomisë, që pritet të vijojë.
Kjo paketë pritet të jetë e moderuar, por e mjaftueshme për të ulur borxhin publik si pjesë e PBB-së. Por, pavarësisht progresit, renditen dhe një sërë problemesh për të cilat BE-ja jep edhe detyrat për zgjidhje. Ato nisin me pronësinë e paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka, sipas përfundimit të arritur, dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme.
Në fund të analizës, Shqipërisë i rekomandohet të ndërmarrë një sërë hapash, mes të cilave edhe vendosja e një takse pronësie të bazuar te vlerësimi.
“Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti duke forcuar më tej administratën e taksave; duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave dhe duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi”, thuhet në vlerësimin për Shqipërinë.
Po ashtu, kërkohen dhe masa per reduktimin e borxhit publik: “Të vazhdojë rregullimet fiskale duke pasur parasysh plotësimin e objektivave të treguara afatmesme për reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së. Të fusë masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal, nëse reduktimi i borxhit rrezikon të mos e plotësojë objektivin”.
Vëmendje i kushtohet forcimit të lekut dhe kontrollit mbi sektorin jobankar: “Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së zgjidhjes së huave të këqija. Të zbatojë masat e parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e përdorimit me efektivitet të monedhës kombëtare, përfshirë kërkesat e diferencuara rezervë për lekun dhe depozitat në monedhë të huaj. Të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e autoritetit mbikëqyrës financiar”.
Po ashtu, nga Shqipëria kërkohet dhe sqarimi përfundimtar i pronësisë së tokës.
“Të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-kadastër deri në vitin 2019”, thotë vlerësimi.
Diskutime rreth kësaj post