Për deputetin demokrat Luan Baçi vizita e Sekretarit të Shtetit në Tiranë, Antony Blinken është një vlerësim i madh që i bëhet vendit tonë.
Në intervistën e tij televizive Baçi theksoi gjithashtu se vizita e Blinken është dhe një mesazh i qartë për kryeministrin Edi Rama që të heqë duart e tij nga kapja e drejtësisë së re dhe veçanërisht SPAK-ut.
“Vizita e z. Blinken në Tiranë një vlerësim për vendin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë dëshmuar gjithmonë se janë partneri më i fortë dhe më i besueshëm. Falë atyre ne jemi këtu ku jemi, sidomos në arenën ndërkombëtare.
Pjesë e NATO-s jemi bërë falë mbështetjes së fortë të SHBA-së dhe marrëdhënies së shkëlqyer që kishte kryeministri i asaj kohe, z. Berisha me presidentin Bush dhe Klinton. Parë në këtë këndvështrim është vlerësim dhe mendoj se takimet do jenë një mesazh i qartë që i jepet kryeministrit Rama për të mos përdorur drejtësinë e re për interesat e tij.
Për të mos e bllokuar sidomos SPAK-un, pasi ndikon fuqishëm për ta vënë nën urdhrat e tij, të mos i pengojë ata prokurorë në punën e tyre në hetimet që po bëhen për ministrat dhe ish-ministrat e tij për të vajtur para drejtësisë. Kjo është arsyeja e vizitës”, theksoi Luan Baçi.
Diskutime rreth kësaj post