Ish-Presidenti Bujar Nishani ka zbuluar bisedën me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke deklaruar në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, në Report Tv, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, i ka kërkuar Llallës arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nishani theksoi se ka qenë ish-kryeprokurori Llalla që ja ka dhënë këtë informacion në zyrën e tij, por në një takim të menjëhershëm me ambasadoren Vlahutin, kjo e fundit e ka mohuar kategorikisht. Pas takimit me Vlahutin, ish-Kreu i Shtetit tha se është takuar sërish me Llallës, i cili i ka qëndruar deklaratës së tij se Vlahutin ka kërkuar arrestimin e Berishës.
Deklarata e Berishës për Vlahutin, se i kishte kërkuar Llallës arrestimin e tij, e konfirmoni?
Po, është e saktë. Kam qenë unë që e kam vënë në dijeni Berishën. E kam pasur këtë informacion dhe nga burime të tjera. Llalla ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se gjatë një bisede, rreth një muaj apo dy pas bisedës, ku i ishte kërkuar nga Vlahutin pse nuk arrestohet Berisha. Më tej, argumentet shpjeguese, sipas Llallës, kanë qenë që Prokuroria nuk mund të arrestojë njerëz për të cilët nuk ka prova dhe fakte. Ishte një bisedë që më shqetësoi dhe nuk mund ta lija në heshtje, pasi bëhej fjalë për një bisedë tërësisht jashtë kontekstit që ka ambasadorja. Kërkova takim me Vlahutin, i shpreha shqetësimin që mora nga Llalla. Ajo e mohoi kategorikisht që të ketë bërë një bisedë të tillë me Llallën. Në radhë të parë vura në dijeni Vlahutin, që e mohoi. Bëra takim tjetër me Llallën, e vura në dijeni që bisedën e ndava me Vlahutin dhe i thashë që ajo e mohon. Llalla i qëndroi edhe pas takimit të dytë.
Mund ta dëshmonte Llalla këtë?
Nuk ishte çështje fjalësh. Nuk ishte regjistruar biseda, por për mua ishte informacion që e merrja zyrtarisht dhe nuk mund ta neglizhoja. Ambasadorja e refuzoi kategorikisht. Më pas, e ndava shqetësimin me Berishën dhe pastaj nuk di si e ka ndjekur ai më pas.
Edhe Lu i kërkoi Llallës arrestimin e Metës … Për këtë nuk di gjë.
Përtej deklaratave të bujshme, këta dy ambasadorë janë akuzuar nga opozita për protagonizëm të theksuar dhe njëanshmëri në mbështetje të PS, e ndani këtë qëndrim ju?
Unë nuk përfaqësoj opozitën dhe nuk mund të flas në emër të saj. unë kam pasur marrëdhënie korrekte.
Dosje korrupsioni që janë mbyllur, keni pasur informacion?
Nuk ka pasur ndonjë intensitet nga Prokuroria mbi hetimet. Unë nuk kam këmbëngulur për të kërkuar informacione, pasi hetimet janë një proces me konfidencialitet. Edhe nga pikëpamja Kushtetuese Prokuroria nuk raporton te presidenti. Nga SHISH nuk kam pasur korrespondenca që kishin të bënin me korrupsionin, por vetëm për çështje që preknin sigurinë kombëtare, si terrorizmin dhe trafikun e drogës. Ka pasur moskoordinim mes policisë dhe prokurorisë. Suksesi i shtetit shqiptar në luftën kundër terrorizmit ka qenë krejt ndryshe nga lufta kundër drogës. Shqiptarët kanë shpëtuar nga terrorizmi falë koordinimit të mirë të institucioneve.
Vettingu në polici ishte i nevojshëm?
Mendoj se po kthehet në show politik. Përdorimi i qëllimit të këtij mekanizmi në raste të tjera më duket një show politik dhe për t’i ikur përgjegjësisë. Në polici do të kishte sens që Vettingu të bëhej në nivele drejtuese, drejtorë, shefa komisariatesh, shefa qarqesh. Nëse një drejtues policie ka miliona apo prona të pajustifikuara, aty duhet të ishte fokusuar ligji. Ky që po bëhet tani është më shumë një ofendim ndaj policëve. Më shumë shqetësuese janë vrasjet, vjedhjet, se sa ai 2 mijë lekëshi që ka marrë një polic.
Diskutime rreth kësaj post