Ka përfunduar përgatitja e dosjes për përfshirjen e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në UNESCO, programi “Njeriu dhe Biosfera”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënshkroi dosjen që do të dërgohet pranë UNESCO, një punë voluminoze e udhëhequr nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me ekspertët e Unionit Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Vjosa do të kategorizohet në kategorinë e re «Njeriu dhe Biosfera», një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë të IUCN dhe UNESCO, dosjen e kanë bërë gati. Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertët e UNESCO në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re për të rritur emrin e vet, për të përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte të reja për secilën nga zonat që shtrihen në Pellgun e Vjosës. Jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë gjithë këto vite për Vjosën ku secili nga aktorët e shoqërisë shqiptare ka luajtur një kontribut shumë të rëndësishëm, nga shoqëria civile deri tek ata që janë njerëzit e Vjosës dhe e kanë ruajtur e mbrojtur në shekuj”, u shpreh ministrja Kumbaro përmes një videomesazhi.
Muaji shtator shënoi edhe një tjetër ngjarje të rëndësishme për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa, siç është miratimi i Planit të Integruar të Menaxhimit, rezultat final i një pune mjaft intensive ndërmjet ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, konsultimesh publike të njëpasnjëshme në të gjithë territorin, diskutimesh, trajnimesh dhe ekspertizash. Ndërkohë, paralelisht ka vijuar puna edhe për përgatitjen e projektit të Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar Vjosa, puna për të cilin nis brenda vitit.
Diskutime rreth kësaj post