Ministria e Shëndetësisë ditën e sotme ka bërë të ditur bilancin e 24 orëve të fundit, ku u regjistruan 64 të infektuar me koronavirus, kjo një shufër më e ulët krahasuar me një ditë më parë që ishin 71 të prekur me Covid-19.
Shefja e Shërbimit Infektiv Najada Çomo tha se aktualisht shërbimi ka një fluks të shtuar dhe bëri apel për respektimin e rregullave nga qytetarët.
“Kemi shtim të numrit të personave të shtruar dhe natyrisht kemi shtim të pacientëve që kërkojnë ndjekje në terapi intensive. Pikërisht pajisjet me këto aparatura që i ofrohen pacientëve në terapi intensive janë një ndihmesë e madhe që ofrohet për shtimin e përkujdesit. Megjithatë do thosha diçka që, çfarë ne ofrojmë në terapi intensive është maksimumi jonë nga ana profesionale, por popullata duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme që liria e një personi shkon deri aty sa nuk cënohet shëndeti i tjetrit.
Ju siguroj që virusi tani ka filluar të përzgjedhë çdo grup moshe dhe duke agravuar situatën shëndetësore të tyre.
Ndaj thirrja e vetme që mbetet është: Ne jemi në shërbimin tuaj! Kemi shumë muaj që jemi vetëm në shërbimin tuaj, por kini parasysh që edhe ju keni detyrimin për të ruajtur distancimin fizik dhe e dyta mbajeni maskën kudo që jeni sepse janë të vetmet arma që kemi për t’u mbrojtur nga ky lloj virusi”, – tha Çomo.
Duke folur për situatën e COVID19, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu teksa ka inspektuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale, tha se po rriten kapacitetet spitalore për të përballuar nevojat sot dhe në të ardhmen.
“Strategjia është dinamike, po I përgjigjet nevojave aktuale por edhe në të ardhmen, qoftë për testimet, kapacitetet në terren, gjurmimin dhe izolimin, për të kufizuar përhapjen e COVID19”, – tha Manastirliu.
Me financim nga buxheti i shtetit, drejtoria e QSUT po përfundon rekrutimin e stafit mbështetës prej 50 mjekësh, infermierësh për të përballuar fluksin e mundshëm të COVID19 në spitalin COVID 3 (ish-kirurgjitë), e cila do të hapet nëse do të ketë shtim të rasteve në spitalin Infektiv, paralelisht me spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” nëse do të ketë shtim të rasteve në terapi intensive që kanë nevojë për trajtim të specializuar.
Sipas strategjisë së miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, janë katër spitale të parashikuara për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19, me një kapacitet prej 550 shtretër.
Diskutime rreth kësaj post