Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve lokalë në Kavajës, të dyshuar se kanë tjetërsuar 36 hektarë pronë publike në bregun e detit, në zonën e Spillesë, duke ua kaluar në pronësi shtetasve të ndryshëm, nëpërmjet fallsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.
Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij, si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh, kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”.
Në bazë të ligjit “Për tokën”, toka ranishte nuk ishte pjesë e fondit të ndarjes së tokave. Në bazë të fallsifikimit të dokumentave, zyrtarët lokalë e kanë shënuar zërin kadastral “tokë arë” në sipërfaqen prej 36 hektarë bregdet. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes.
E vënë në dijeni të procesit të shpejtë të tjetërsimit, Prokuroria e Kavajës ndërhyri në Korrik 2017, duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren.
Prokuroria e Kavajës nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, këtij procedimi penal i është bashkuar edhe një kallëzim i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Tiranë.
Prokuroria e Kavajës ka zhvilluar hetime të gjera, duke hetuar mbi dokumentat në ZVRPP Kavajë, në bashkinë Rrogozhinë, si edhe praktikat administrative të ish-komunës Kryevidh, e cila mbulonte zonën e plazhit të Spillesë.
Në vijim të këtyre hetimeve, Prokuroria e Kavajës ka identifikuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët dyshohen si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për fallsifikimin dhe shpërdorimin e detyrës në ndarjen e tokave.
Për këtë arsye, Prokuroria e Kavajës i bëri kërkesë gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, për shtetasit si më poshtë:
- Seid Cikalleshi, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Kavajë
- Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë
- Andi Gjeci, jurist, ZVRPP, Kavajë
- Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë (aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë)
- Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë
- Nezir Lecini, ish-shef i Zyrës së Kadastrës, Kavajë
- Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë
- Enver Duqi, ish-Drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë
Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria ka lëshuar urdhërat e ndalimit edhe për shtetasit:
- Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t, Kavajë
- Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh, Kavajë
- Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë
Vendimet e gjykatës për arrestimin e shtetasve të mësipërm, si edhe urdhërat e ndalimit të prokurorit, janë ekzekutuar, në pjesën më të madhe, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë ditës së martë (14.11.2017).
Aktualisht nuk janë zbatuar masat e sigurimit dhe janë shpallur në kërkim shtetasit: Seid Cikalleshi, Fatos Kaja dhe Enver Duqi.
Cikalleshi është vjehrri i kreut të PS-së së Kavajës, Gentian Daja.
Diskutime rreth kësaj post