Bujar Nishani ka vendosur të prodhojë adhuruesit e vet tek e djathta dhe brenda Partisë Demokratike, përmes dekorimeve. Janë dy gjeste të forta të tij këtë javë, që duket se i kanë vënë flakën debatit rreth marrëzive të tij, por ai duket i qetë dhe i qartë përse i ka bërë.
E para është dekorimi i 67 fshatarëve të organizuar me Ballin Kombëtar në Divjakë gjatë luftës, dhe e dyta është dekorimi i vjehrrës së Shkëlzen Berishës, një instruktore palestrash në Tiranë dhe mësuese private aerobie.
Edhe pse duket sikur nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, në fakt janë brenda të njëjtit plan biznesi.
Dekorimi është doemos një provokim politik, i cili synon të forcojë figurën e Bujar Nishanit dhe evoluimin e tij, nga oficer enverist, në një “të djathtë” që synon të jetë kryetar i PD pas zgjedhjeve të vitit 2017. Dhe drejt kësaj rruge ai po ecën duke përdorur dekoratat, të vetmen komptencë që i ka lënë Berisha ta përdorë pa leje.
67 të pushkatuarit nga partizanët në Divjakë, janë padyshim viktima lufte. Ata janë një akt i papërgjegjshëm i komandantëve partizanë, dhe shkelje e rregullave të luftrave, sidomos prej Mehmet Shehut, i cili më vonë dhe ka reflektuar për atë vrasje, duke e quajtur “gjaknxehtësi”. Por pa dyshim ata nuk janë martirë dhe as njerëz që me vdekjen e tyre ndriçuan historinë e Shqipërisë. Ata janë viktima të një lufte që po shkonte drejt luftës civile, për shkak të rreshtimit të një pjese të Ballit Kombëtar pro okupatorit, dhe nuk mund të flitet për nderim të tyre. Ajo për të cilën mund të flitet, është dënimi i krimeve të komunistëve, por jo nderimi superior i çdo viktime të tyre.
Bujar Nishani, si një ish- komunist, është i qartë përse e bën. Ai kërkon një rast ta akuzojnë si ekstremist të djathtë dhe të shfaqet duke sharë “enveristët”, Enver Hoxhën, komunizmin, krimet e tyre etj. Është thjesht një plan i tij për t’i “vënë gjoksin” tashmë kufomave të Ballit Kombëtar, siç i vuri gjoksin kufomës së Enver Hoxhës më 1991.
Dhe për këtë mendon se fiton simpatinë e shtresave të përndjekura të PD dhe aleatëve të tyre, për të qenë një kandidat i pranueshëm si kryetar i PD pas zgjedhjeve.
Akti i dytë është dhe më i qartë, edhe më i rëndë. Për mua është dhe më poshtërues për shtetin shqiptar, se sa dekorimi i 67 ballistëve fakirë e fatkeqë, që nuk e morën vesh as pse dolën në kodrat e Divjakës dhe as pse i vranë.
Është dekorimi i vjehrrës së Shkëlzen Berishës. Pa dashur të fyejmë një qytetare të këtij vendi, së cilës ju bë fat për dekorim, lidhja e vajzës së saj me djalin e Sali Berishës, ajo në të vërtetë nuk ka asnjë vlerë për të qenë qytetare e shquar e këtij vendi, përveç faktit që ka lindur nusen e re të djalit të Sali Berishës. Nëse për këtë akt duhet të dekorohet, të paktën t’i shkruhet në motivacion. Në të vërtetë, Bujar Nishani po e dekoron se kështu mendon se blen mbështetjen e djalit të Berishës për betejën që ai ka në mendje me Lulzim Bashën, pas zgjedhjeve të 2017. Duke bërë ato llogaritë e tij idiote, për mënyrën se si Basha ka shkuar në krye të PD, ai ka menduar që meqë ai u ngjit deri aty i ndihmuar nga vajza e Berishës, ky po kap djalin dhe po ecën përpara. Dhe duke mos ditur çfarë t’i ofrojë djalit, është kujtuar për vjehrrën e tij, që shërben si instruktore aerobie nëpër palestrat private të Tiranës, për ta dekoruar, që krushqia të jetë mes familjesh “me vlera kombëtare”, dhe Doktori t’i pranojë në shtëpi si krushq.
Ky është një nga ato turpet, që kam frikë se bën të ndjehet keq dhe vetë Sali Berishën, i cili mban një dekoratë të pamerituar nga Nishani, por shumë herë më të merituar kur e krahason me çfarë ka sot në duar krushka e tij.
I gjithë ky budallallëk kombëtar, dhe ky debat që bëhet a janë të fajshëm ballistët apo partizanët, a e ka mirë Nishani apo e ka pas mirë Mehmet Shehu, në fakt nuk ka asnjë lidhje me qëllimin e dekorimit.
Qëllimi është si të blihet posti i ardhshëm i kryetarit të PD, përmes dekoratave. Është një arsye aq banale, sa zhvlerëson çdo lloj dekorate, edhe sikur ato të ishin të merituara. Të dekorosh dikë vetëm se është vjehrrë e Shkëlzenit, është një akt që shpjegon gjithçka. Edhe pse të lë pa fjalë!
Diskutime rreth kësaj post