Kreu i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka kujtuar sot përmes një postimi në rrjetet sociale 30-vjetorin e ardhjes në Shqipëri të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker.
Teksa kujton fjalën e Baker, i cili shprehej se tashmë jeni të lirë për të zgjedhur udhëheqësit tuaj, Kokëdhima shkruan se Shqipëria ende vazhdon të mbetet peng i 2 partive të vjetra anti-demokratike.
Sipas Kokëdhimës, vetëm rrëzimi i tyre nga pushteti i grabitur është rruga që shqiptarët t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të botës demokratike.
Postimi i plotë:
“Si sot 30 vite më parë, më 22 qershor 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker, iu drejtua mbi 300 mijë shqiptarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”: “Liria funksionon… Më në fund jeni të lirë të flisni atë që mendoni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë zgjedhur t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të të gjithë botës…Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”.
Këto tre dekada SHBA-të kanë qenë me ne dhe mbeten aleati i vetëm strategjik i Shqipërisë, por shqiptarët ende nuk janë të lirë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Dy parti të vjetra antidemokratike e parapolitike kanë mbyllur sistemin, duke marrë peng të drejtën e Sovranit për të ndryshuar me votën e lirë elitat politike. Vetëm rrëzimi i tyre nga pushteti i grabitur është rruga që shqiptarët t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të botës demokratike.” – shkruan Kokëdhima.
Diskutime rreth kësaj post