Vizita e presidentit Ilir Meta në SHBA, dy ditë më parë bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin është cilësuar si një përpjekje e madhe për të gjetur rrugën e së ardhmes në politikë, nga analisti Ben Andoni. Në një intervistë televizive, ai u shpreh dje se po ashtu kjo vizitë mund të jetë bërë edhe për t’i dhënë një kanalizim të ri LSI.
“Besoj se kjo që po bëjnë është një përpjekje shumë e madhe fillimisht për të pastruar dhe për të gjetur rrugët e të ardhmes së zotit Meta që me çfarë shoh janë ngushtuar shumë dhe e dyta për të gjetur element të ri për të ardhmen e tyre politike. Koha do të tregojë shumë gjëra, por këto dihen. Të gjejnë një lloj frymëmarrje të re për të ardhmen e tyre politike dhe për t’i dhënë një kanalizim të ri LSI që unë besoj që nuk do e ngrejë më kokën në drejtimin e tyre, as nëse Meta shkon në krye të saj”, – tha Andoni.
Ai u shpreh se si Meta ashtu edhe Kryemadhi kanë humbur shumë sa i përket formacionit të tyre në politikë. Andoni theksoi se LSI sipas tij, është në nivelet më të ulëta të besimit.
“Të dy kanë humbur jashtëzakonisht, e para sa i përket formacionit të tyre, formacioni ishte mënyra se si ata mbijetonin në politikën shqiptare sepse në politikë s’mund të mbijetosh si individ, duhet të kesh një formacion. Të dy treguan se këtë formacion për shkak se ishte parti familjare e kanë shtyrë në nivelet më të ulëta të besimit”, – shtoi ai.
Sipas analistit, presidenti Meta është në kreditet e tij më të ulëta. Ai theksoi se presidenti Meta e ka të pamundur të fitojë kreditet e mëparshme.
“Të dy janë të interesuar për fatin e Metës, i cili është në kreditet e tij më të ulëta, e ka të pamundur të fitojë kreditet e dikurshme dhe e dyta të ardhmen e formacionit të tij që s’do ngrejë krye. Të shohësh reagimet që ka populli shqiptar për ata ti kupton se ata prej kohësh janë shmangur nga shikimi i politikës shqiptare. Sot interesi më i madh është te deklaratat e zotit Koçi më shumë sesa çfarë bën Meta në SHBA”, – deklaroi analisti Andoni.
Diskutime rreth kësaj post