Kryeministri Edi Rama tha se nuk ka arsye përse duhet të merret vesh me kreun e PD për orarin që duhet të vizitojnë Elbasanin. Ky koment erdhi pasi si kreu i PD Lulzim Basha ashtu dhe kryeministri Edi Rama ishin në të njëjtën kohë në Elbasan, me rastin e Ditës së Verës, çka solli dhe përplasje mes simpatizantëve. Rama tha se nuk është armik me Bashën dhe se përtej betejës politike në mjedisin shoqëror duhet të sillen si qytetarë.
“Pse duhet të merremi vesh për orarin që të shkojmë në orare të ndryshme, çfarë lidhje ka kjo. Ne nuk jemi armiq, ne nuk kemi arsye pse përtej ballafaqimit dhe betejës politike në mjedisin shoqëror sillemi si njerëz, si qytetarë. Ç’domethenë kjo përplasje, pse çfarë jemi këtu…çfarë pyetje është kjo?”, tha Rama.
Ai uroi më tej për Ditën e Verës teksa u ndal tek situata nga pandemia, duke theksuar po përpiqemi që vera të jetë e lehtësuar nga pesha e rëndë e situatës së imponuar nga armiku i padukshëm, duke bërë çmos që të garantojmë një vaksinim sa më intensiv.
Deklarata e Ramës:
“Unë jam këtu për të respektuar një traditë të kësaj feste, që prej kohësh është kthyer në një festë kombëtare që ka qendrën në Elbasan dhe jam këtu për t’i uruar këtu të gjithë, pa përjashtim, pa dallim bindjesh politike, pa dallim besimesh apo prejardhjesh që të kenë një festë të gëzuar dhe një verë të gëzuar. Unë dhe ne po përpiqemi që vera të jetë e lehtësuar nga pesha e rëndë e situatës së imponuar nga armiku i padukshëm, për këtë arsye jemi duke bërë çmos që të garantojmë një vaksinim sa më intensiv, duke sjellë sasira të konsiderueshme vaksinash që të shtrihen sa më shpejt në të gjithë territorin.
Kemi filluar dje me mësuesit dhe me pedagogët, pasi kemi mbaruar vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve dhe vazhdojmë, por jo me ritmin e domosdoshëm dhe të dëshirueshëm me më të moshuarit, prandaj është në rendin e ditës sime sa hap sytë dhe është mendimi i fundit, para se t’i fle ato orë të pakta që të garantojmë dozat e konsiderueshme dhe të vaksinojmë në mënyrë të konsiderueshme që vera të jetë si kjo ditë e bukur dhe e ardhmja e afërt të jetë e çliruar përfundimisht nga makthi dhe goditjet që virusi bën në familjet e njerëzve tanë, deri duke marrë dhe jetë njerëzish. kjo është arsyeja pse jam këtu dhe kjo është A-ja dhe Zh-ja e ditës sime. Të bëjmë këtë verë një verë sa më të lehtë dhe ta çajmë përfundimisht rrethimin e virusit, në të njëjtën kohë si shumë vende të BE”, deklaroi Rama.
Video:
Diskutime rreth kësaj post