Nga Mero Baze
Janë së paku tre beteja të forta që e kthejnë debatin për dejtësinë në Shqipëri, në një lojë luftash fallco për opozitën shqiptare.
Së pari, opozita, që kërkoi me forcë ligjin e dekriminalizimit, deri në kufijtë e antikushtetueshmërisë, në rastin e parë që u prek një deputet i saj, ngriti kartonat kundër këtij ligji.
Së dyti, edhe pse kali i betejës për opozitën është korrupsioni, ajo bëri betejën më të pashembullt në histori, për të kundërshtuar dhe sabotuar zbatimin e reformës në drejtësi, që pastron sistemin në themel nga korrupsioni i mbjellë prej mungesës së drejtësisë dhe i jep fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe atyre të drejtësisë, që kanë mbjellë farën e korrupsionit në vend.
Dhe së treti, për herë të parë ka një betejë legale të një opozite shqiptare, kundër faktorit ndërkombëtar lidhur me reformat jetike në vend.
Beteja e parë e opozitës, ajo e dekriminalizimit, u ç’mitizua që në minutën e pare të hyrjes në fuqi të saj, kur tre anëtarë të KQZ-së, të zgjedhur nga PD, ngritën kartonat kundër, për të penguar heqjen e mandatit për deputetin Dashamir Tahiri të PD. Edhe pse Prokuroria solli fakte për dënime të padeklaruara të tij në Itali, opozita dëshmoi se po të kishte shumicë politike në KQZ , do ta mbronte deputetin në fjalë, që e prek ligji që ka miratuar vetë. Dhe nëse këtë arsyetim e shtyjmë më tej, nëse PD sot do të ishte shumicë në Kuvend, jo vetëm që nuk do të miratohej ligji i dekriminalizimit dhe reforma në drejtësi, por gangsterët e saj, do ishin ëngjëjt e politikës shqiptare.
Detyrimi për të mbrojtur një deputet që e prek një ligj i hartuar nga vet opozita, flet për lidhje më shumë se politike të kreut të opozitës me krimin, ose pafuqi dhe frikë të kreut të opozitës, për t’u përballur me këtë deputet.
Ky gjest është fyes për PD-në dhe elektoratin e saj, të cilët Tahirin nuk do të donin ta kishin deputet, edhe sikur të ishte njeriu më i pastër në botë. Standartet e tij intelektuale dhe figura publike e tij, nuk i bëjnë nder as PD-së, as Kuvendit, dhe asnjë force politike në Shqipëri.
Beteja e dytë fallco e PD-së është beteja kundër korrupsionit. Kjo betejë në një periudhë afatgjatë kërkon një sistem drejtësie të shëndoshë, që të ndëshkojë vjedhjen dhe krimin dhe të zhdukë fenomenin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Reforma në drejtësi ishte zgjidhja e duhur për të. E mbështetur dhe ideuar nga faktori ndërkombëtar, sidomos BE dhe SHBA, kjo reformë dominoi betejën politike të këtij viti, duke futur opozitën në një spirale të rrezikshme antireformë.
Falë presionit ndërkombëtar dhe humbjes së pakicës bllokuese të PD në Kuvend, opozita u detyrua formalisht të ngrejë dorën më 22 korrik, për ta bllokuar sërisht zbatimin e reformës në mënyrë të përkoshme disa javë më vonë, duke e çuar në Gjykatë Kushtetuese, sa për të dëmtuar prcoesin e hapjes së negociatave me BE.
Beteja e PD kundër reformës në drejtësi, është një nga betejat më të mëdha që ka bërë ndonjëhere ndonjë forcë politike për një reformë kushtetuese në vend, dhe e gjitha bazohet tek paranoja, se humbja e kontrollit mbi sistemin e drejtësisë mund të prekë vet opozitën, për shkak të aferave të saj korruptive, kur ishte në pushtet. Kjo ja ul aq shumë besueshmërinë betejës së saj kundër korrupsionit, sa në së paku dy zgjedhje lokale të kryera gjatë vitit, u dëshmua një humbje e thellë e saj, për shkak të mungesës së besueshmërisë.
Beteja e tretë e vërtetë e opozitës, është ajo kundër Bashkimit Europian dhe SHBA. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një parti e madhe politike merr qendrim zyrtar kundër politikës së BE dhe SHBA. Në vitin 1997, Berisha ka tentuar të mbulojë krizën me SHBA, duke u hequr si aleat i europianëve. Kjo ishte hera e parë që PD sulmoi në front dhe u përfshi në një betejë politike dhe legale kundër Bashkimit Europian dhe SHBA, lidhur me reformën në drejtësi. Ka së paku katër deklarata zyrtare të përbashkëta të BE – SHBA, kundër qëndrimeve të PD për reformën dhe sulme anasjelltas, të PD kundër tyre.
Dy ambasadorët e rëndësishëm të perëndimit në Shqipëri, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, u bënë objekt i sulmeve personale nga PD, përkundër mbrojtjes zyrtare që u bëri Brukseli dhe Uashingtoni. Ish- kryetarja e parlamentit, Jozefian Topalli, ka shpërthyer sot marazin e saj për këtë situatë, duke theksuar se reforma u bë falë presionit perëndimor dhe se në PD, vetëm dy- tre deputetë kanë qenë pro saj.
Beteja e PD kundër Perëndimit, nga ana tjetër forcoi në mënyrë artificiale pozitat ndërkombëtare të qeverisë dhe bëri që kancelarja Merkel, ta presë për herë të tretë brenda mandatit të tij, kryeministrin Edi Rama dhe t’i japë mbështetje të fortë për integrimin në BE.
Fundi i këtij viti, në fakt koincidon me fundin e gjithë përpjekjeve të opozitës për ta penguar drejtësinë, duke shndërruar vitin 2016 në një vit të madh mosmarrëveshjesh për drejtësinë shqiptare, ku në fund triumfoi reforma dhe iniciativa e perëndimit. Tani mbetet që viti 2017 të jetë viti i zbatimit të saj dhe viti kur shqiptarët duhet të vlerësojnë dhe votëbesojnë me votë, ata që e dëshën dhe ata që e kundërshtuan këtë reformë, si kamikazë.
Diskutime rreth kësaj post