Pas ndryshimit të Kodit Penal për të mitur, për herë të parë në Shqipëri do të ketë hapësira të posaçme për trajtimin e kësaj kategorie gjatë shoqërimit në komisariatet e policisë.
Eshte celur zyra e parë e intervistimit të të miturve në Komisariatin nr. 5, në Kamëz ku e pranishme ishte edhe Zv.ministrja e Brendshme, Kuko.
“Momenti i sotëm është vetëm një pjesëz, një fraksion shumë i vogël i të gjithë asaj pune që zhvillohet në Ministrinë e Brendshme, në Policinë e Shtetit, në Ministrinë e Drejtësisë, në organizatat jo-fitimprurëse, me shoqërinë civile për sa i përket garantimit të respektimit të të drejtave themelore të njeriut, sidomos të drejtave të fëmijëve.
Në fakt ne sot po përurojmë një ambient, i cili është shumë i domosdoshëm dhe i nevojshëm për çështjen e përmbushjes së standardeve. Kemi Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili revolucionarizon në njëfarë mënyre, mënyrën se si fëmijët, të miturit, të cilët janë viktima apo autorë, të cilët janë dëshmitarë të ngjarjeve kriminale, trajtohen brenda Komisariatit.
Është shumë e rëndësishme që ne ta kemi këtë standard dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, të ketë një ambient të posaçëm ku fëmijët të mos bien në kontakt me pjesën tjetër të Policisë, për sa i përket trajtimit të autorëve. Ajo që unë dua të theksoj, është fakti që ne duam të largojmë fëmijët nga Komisariati. Ne duam të krijojmë një hendek dhe një distancë jashtëzakonisht të madhe të botës së fëmijëve dhe të miturve me Komisariatin.
Prandaj jemi duke zhvilluar projektin e Policimit në Komunitet; prandaj jemi duke bashkëpunuar me pushtetin vendor për krijimin e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike; prandaj jemi duke bashkëpunuar me shoqërinë civile për të përdorur informacionin, sondazhet, njohurinë e tyre dhe ekspertizën e tyre të çmuar dhe jashtëzakonisht të vlefshme, përsa i përket mënyrës se si ne do të parandalojmë kriminalitetin.
Për mënyrën se si ne do të promovojmë arsimin, do të promovojmë mbështetjen sociale dhe do të promovojmë rrugën tjetër dhe jo atë të komisariatit. Ne duam të ndërpresim, të çajmë zinxhirin e dhunës përsa i përket të miturve. Unë gjej rastin që t’i bashkohem edhe apelit të Drejtoreshës së ‘World Vision’, se Ministria e Brendshme do të jetë bashkë me ju në të gjithë fushatën ndërgjegjësuese. Jemi të gatshëm që në çdo Drejtori Vendore të Policisë, në çdo qark, në çdo bashki, në çdo njësi administrative të jemi me ju, së bashku edhe me shoqërinë civile, për të ngritur jo vetëm ndërgjegjësimin, por për të hapur një dialog dhe për të biseduar së bashku, se cilat janë ato gjërat që ne duhet të bëjmë, sepse në fund të fundit ky është interesi juaj dhe ne jemi pikërisht këtu për t’ju shërbyer juve.
Nganjëherë është shprehja klishe se ‘të rinjtë janë e ardhmja e kombit’ dhe shumë shpesh ndodh që përdoret edhe si një shprehje klishe për të prekur zemrat, por nuk duhet harruar që kontributi ndaj të rinjve është një kontribut, i cili i përket të gjithë shoqërisë, në të gjithë spektrin e saj. Në të majtë e në të djathtë. Në shërbime sociale apo në polici. Do të ishte mirë që të paktën për të miturit të bashkoheshim dhe të gjenim një mënyrë për t’i mbështetur ata.
Të miturit, fëmijët, të rinjtë mësojnë nga shembujt, nuk mësojnë nga fjalët. Është shumë e rëndësishme që ne të rinjve t’i japim shembullin më të mirë të mënyrës se do trajtojmë njëri-tjetrin, sepse dhuna ndonjëherë nis edhe duke parë, duke observuar dhunë. Dhoma që po inagurojmë sot, miqësore ndaj të miturve është e para. Ne jemi duke bashkëpunuar me ‘World Vision’ për të pasur edhe dhoma të tjera, në Komisariate dhe Drejtori Vendore të Policisë. Në të njëjtën kohë edhe vetë si Ministri e Brendshme po përpiqemi që këtë standard ta plotësojmë.
Megjithatë është një pikë fundore. Pika kryesore është ajo e parandalimit. Unë iu uroj shumë suksese dhe faleminderit dhe juve për kohën që keni gjetur. Në fund por jo më pak e rëndësishme, doja të riktheksoj atë që z.Skënderaj, Drejtori i Policisë së Tiranës tha për znj.Lushaku: Faleminderit Lindita (shefja e zyrës kundër dhunës në DVP Tiranë) për të gjithë kontributin tend, këmbënguljen dhe për të gjithë devotshmërinë që ke pasur. Siç je ashtu e devotshme edhe për punën tuaj për dhunën në familje edhe për mbështetjen e të miturve në Policinë e Tiranës.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post