Vijon të jetë alarmante situata me të nxehtin në disa zona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë që lagen nga pjesa veriperëndimore e Oqeanit Paqësor.
Autoritetet në Kanada dhe shtetet Oregon dhe Uashington bëjnë me dije se rreth 500 persona kanë humbur jetën nga temperaturat përvëluese në ditët e fundit, që kanë sjellë një të nxehtë aspak të zakontë për këto zona, duke i gjetur njerëzit të papërgatitur.
Zyrtarja e British Columbia, Lisa Lapointe shprehet se të dhënat flasin për 486 vdekje të panjohura në 5 ditët e fundit, në një kohë kur provinca kanadeze për një periudhë kaq të shkurtër kohore, në rastin më të keq ka raportuar 165 fatalitete.
Shumë shtëpi në Vancouver dhe në Seattle nuk kanë ajër të kondicionuar duke i dhënë një goditje fatale njerëzve të sëmurë.
Në Oregon temperaturat arritën deri në 45 gradë, duke bërë autoritetet lokale të fajësojnë të nxehtin për më shumë se 60 vdekje.
Po ashtu Seattle, Portland dhe shumë qytete të tjera thyen rekordin e temperaturave të lartë, ku termometri shënoi mbi 46 gradë Celsius.
Ndonëse situata ka qenë e vështirë, ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë qenë në gatishmëri për të parandaluar ndonjë zjarr të mundshëm që mund të përhapet me shpejtësi. Gjithashtu janë ngritur dhe stacione që shpërndajë ujë për kalimtarët që të mos dehidratohen.
Diskutime rreth kësaj post