Mazhoranca duket e vendosur për të zgjatur afatet e vetingut, por duket se nuk ka asnjë negociatë me opozitën. Ditën e djeshme, u mblodh Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar për agjendën e Kuvendit të datës 14 tetor 2021, nga ku do të diskutohet edhe ngritja e komisioneve hetimore. Por, dy krerët e grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Alfred Rrushaj, kanë shpjeguar për mediat mosdakordësinë për ngritjen e komisionin hetimor për çështjen “Becchetti”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, ka ripërsëritur qëndrimin e mazhorancës që amendamenti kushtetues për zgjatjen e afateve të vetingut të bëhet sa më parë. Balla ka mohuar pazaret me PD dhe tha se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim për çdo propozim të opozitës.
“Të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj të fillojë procedura parlamentare. Një amendament kushtetues kërkon minimalisht 45 ditë, por mund të shkojë edhe 60 ditë. Të mos e politizojmë këtë çështje, ta mbajmë më shumë si çështje teknike për vijueshmërinë e reformës historike, atë në sistemin e drejtësisë. Nuk ka asnjë lloj “pazari” sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili prej ne deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon. Gati dhe të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Ndërkohë edhe pse homologu i tij socialist bëri thirrje që ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të vetingut të bëhen sa më shpejt, kreu i Grupit Parlamentar demokrat Alfred Rrushaj, thotë se ende asnjë propozim zyrtar nuk ka mbërritur në selinë blu.
“Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga askush deri tani. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor apo çështje të tjera”, tha Rrushaj.
Ndërkohë, lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore, Partia Socialiste ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të ngritur një komision hetimor për çështjen e Francesco Becchettit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën në një vendim sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike për ngritjen e 3 komisioneve hetimore, por mazhoranca është kundër ngritjes së komisionit hetimor për çështjen “Beccheti”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, u shpreh se ngritja e këtij komisioni do të rrëzohet nga mazhoranca.
“Ngritja e Komisionit për 25 prillit do të bëhet ditën e enjte, jemi duke dakordësuar për çështjen e menaxhimit të mbetjeve. Ndërkohë që do të rrëzohet komisioni “Becchetti””, tha ai.
Ndërsa, nga ana tjetër, Rrushaj u shpreh se mazhoranca po shkel Kushtetutën me qëndrimin e saj. Ai theksoi, se opozita nuk do ta pranojë këtë.
“Ka një vendim të palës tjetër për të mos pranuar ngritjen e komisionit hetimor “Becchetti”. Kjo në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe të vendimeve të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Do të bëjmë gjithçka që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë pse do të paguajnë 120 milionë euro”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post