Zgjedhjet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, më shumë sesa kandidatin fitues për kryetar, do t’i tregojnë LSI-së nivelin e organizimit përpara zgjedhjeve politike të vitit të ardhshëm. Prandaj për Ilir Metën, pjesëmarrja është shumë e rëndësishme.
“Për të garantuar jo vetëm cilësinë e këtij procesi, për të shmangur çdolloj fiktiviteti, por edhe për të kuptuar shkallën e organizimit dhe të motivimit të anëtarësisë në të gjithë vendin”, tha Meta.
Rritjes së peshës elektorale të LSI-së i dhanë rëndësi edhe dy kandidatët e tjerë.
“Unë besoj fort se LSI është e para dhe duhet të jetë e para”, tha Përparim Spahiu.
“Në konceptin tim, duhet të mendoj, të besoj dhe të punoj që të synojë të dalë forcë e parë”, tha Shezai Rrokaj.
Por me zgjedhjet brenda LSI-së është i lidhur edhe vendimi për aleancat elektorale.
“Këto i vendosin strukturat e partisë. Nuk i vendos një individ i vetëm, duke nënkuptuar këtu edhe kryetarin e ardhshëm të LSI-së”, tha Shezai Rrokaj.
Dhe kryetari e konfirmoi këtë qëndrim. Deri në dhjetor, Ilir Meta nuk do të ketë asnjë përgjigje për Edi Ramën, nëse dy partitë do ta rikonfirmojnë apo jo koalicionin.
“Sot bëjmë zgjedhje për të vajtur përsëri në zgjedhje. Në datat 3 dhe 4 dhjetor kemi Konventën, që do të zgjedhë edhe forumet e reja të LSI-së. Më pas janë ato që do të përcaktojnë axhendën e LSI-së”, tha Meta.
Aktualisht, Ilir Meta e konsideron veten pa mandat negociimi.
“Unë nuk e di se kush mund të marrë një vendim në rast se nuk ka mandat”, theksoi Meta.
Ilir Meta iu shmang një përgjigjeje sesa do të ndikojë në vendimin për koalicionin, pesha e votave që do të marrin dy rivalët e tij, të cilët kërkojnë që LSI-ja të caktojë kryeministrin në zgjedhjet e ardhshme. Por, mesa duket, këtë çështje Ilir Meta nuk e ka përfshirë në axhendën politike të këtij viti.
Diskutime rreth kësaj post