Një argjendari ka rënë pre e vjedhjes ditën e dytë të vitit. Policia tha se ka referuar ngjarjen në prokurorinë e Tiranës, ndërsa autorët nuk janë zbuluar ende. Pre e vjedhjes ka rënë argjendaria “Altinbas” në qendren tregtare “City Park” dhe mësohet se janë marrë bizhuteri me vlerë rreth 20 mijë euro.
Zëdhënësi i policisë i kontaktuar nga Opinion.al tha se Policia e Tiranës ka referuar dosjen në prokurori për shpërdorim detyre për rojet private. Sipas tij ngjarja ka ndodhur mesnatën e 1 janarit duke u gdhirë data 2 janar.
Dyshohet se rojet kanë qenë në gjumë dhe nuk i kanë vënë re hajdutët. Ata kanë thyer xhamin e argjendarisë dhe kanë marrë prej aty sendet me vlerë. Policia tha se ngjarja është nën hetim dhe se ende nuk ka informacion që mund ta bëjë publik në lidhje me autorët e dyshuar. Në vendin e ngjarjes përpos gjurmëve të gishtave janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të cilat janë tashmë pjesë e dosjes hetimore për këtë ngjarje të rëndë. /Opinion.al
Diskutime rreth kësaj post