Korpusi rinor “Azem Hajdari”, i shfaqur për herë të parë në ballë të protestës së 8 dhjetorit 2015 organizuar nga PD, ngjalli kureshtje për uniformën ngjyrë të zezë të këmishave që vishnin.
Disa muaj më pas ata janë rishfaqur përsëri. Kësaj here nëpërmjet një videoje, e cila zgjat më shumë se 1 minutë postuar në “Youtube”, mesditën e së dielës 3 prill 2016.
“Kalojmë në fusha, kalojmë në male
Marshojmë në truallin tonë
E ditë e nat për të krah nuk ndalet
Atdheu ne na fton
Na prit shqiponja, na prit o popull.
Po vijmë ne për shpëtim”, pjesë nga teksti i këngës.
Më shumë se sa një video promocioanle e këtij organizmi rinor qëllimi është përhapja e asaj që ata e quajnë himnin e korpusit rinor “Azem Hajdari”.
Një burim nga PD i pohoi Top Channel se çfarë detyrash konkrete do të realizojnë në të ardhmen anëtarët e këtij grupimi. Atë të mbrojtjes së votës në zgjedhje. Korpusi rinor “Azem Hajdari” të shtunën ishte pjesë e përkujtimit të ngjarjes së 2 Prillit në Shkodër.
Mësohet se nismëtari i krijimit të këtij korpusi ka qenë kreu opozitës Lulzim Basha.