Gjykata Kushtetuese pritet që brenda kësaj jave të zbardhë vendimin për vetingun dhe shumë shpejt do nisë furtuna në drejtësinë shqiptare. Me zbardhjen e tij nis menjëherë puna për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pritet që numri i atyre që do të preken të jetë vërtet i madh.
Dy janë institucionet më të rëndësishme që do të kryejnë verifikimet fillestare: ILDKP dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e njohur si DSIK. Sipas burimeve nga këto institucione, personat e parë që pritet të kalojnë në sitë dhe për të cilët do të ketë hetime më të thelluar do jenë ata që janë me dosje në prokurori.
Burime nga ILDKP bënë me dije se asnjë prej gjyqtarëve a prokurorëve të kallëzuar prej tyre për fshehje pasurie gjatë viteve të fundit, nuk është dërguar në gjykatë dhe ndaj tyre do ketë një vëmendje të veçantë. Në fakt, ata do jenë dhe emrat e parë që pritet të preken, pasi një herë janë kallëzuar për fshehje pasurie dhe justifikimi i saj tani do jetë disi i vështirë.
Pas vetingut, duket se pasuria e tyre do kalojë në sitë edhe nga SPAK sepse bëhet fjalë për rreth 5 milionë dollarë që janë fshehur brenda dhe jashtë vendit, si dhe kanë shumë biznese, toka e banesa. Gjyqtarët e mëposhtëm janë kallëzuar në prokurori për fshehje pasurie e disa për pastrim parash, teksa disa prej tyre janë pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për abuzime me detyrën, e disa të tjerë janë arrestuar shkruan “Sot”. Ka dhe nga ata që i kanë shpëtuar drejtësisë dhe ose kanë dalë të pafajshëm në Apel, ose dosjet e tyre janë mbyllur. Por duket se këta do të jenë objekti i parë i ligjit të vetingut dhe i ligjit për institucionet antikorrupsion.
Sipas ligjit të vetingut, askush që ka pasuri të pajustifikuar dhe të dyshimtë, apo që ka dhënë vendime të dyshimta nuk do vijojë më të ushtrojë profesionin e tij. Në total numri i zyrtarëve që janë me dosje për korrupsion është rreth 600, përfshirë këtu dhe kallëzimet që ka bërë KLSH. Nga këta zyrtarë vetëm 2-3 vitet e fundit 20 kanë qenë gjyqtarë, disa aktualisht të dënuar dhe që nuk do futen në veting pasi nuk do kenë më punë me gjyqësorin.
Emrat e gjyqtarëve me dosje
Media ka siguruar listën e gjyqtarëve që janë në telashe me drejtësinë dhe që preken direkt nga vetingu dhe ligji antikorrupsion. Një ndër më kryesorët është Gjin Gjoni, anëtar i KLD. Gjin Gjoni është paditur nga ILDKP se ka fshehur mbi 2 milionë euro pasuri, por ai në gjykatë doli i pafajshëm dhe mënyra si u mor vendimi solli shumë reagime. Për këtë arsye për të do ketë një kontroll të rreptë gjatë vetingut, teksa pritet që dosja të rihapet nga SPAK.
Pak kohë më parë ai është paditur për deklarim të rremë të interesave private dhe mungesë burimesh financiare të ligjshme për të ardhurat në shumën rreth 40.000.000 lekë, deklarim të rremë për kontratat e apartamenteve me vlerë 73.000 euro dhe 44.000 euro. Po ashtu në listë janë dhe prokurorët, si p.sh. Petref Asllani, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan. Të 15 gjyqtarët e prokurorët kanë fshehur sipas ILDKP mbi 5 milionë euro pasuri. Nga ana tjetër disa prej tyre kanë bërë transferua të dyshimta jashtë vendit. Dyshimet janë se paratë janë dërguar në parajsat fiskale dhe verifikimet do shtrihen deri jashtë vendit.
Diskutime rreth kësaj post