Në Partinë Demokratike është pritur me keqardhje, por pa ndonjë habi deklarata e ambasadorit amerikan se çfarë rrezikonte opozita, nëse e ankimonte ligjin e “Vetting”-ut në kushtetuese.
“I kemi thënë udhëheqjes së PD-së se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”, tha një ditë më parë.
Por opozita nuk do ta kthejë mbrapsht vendimin politik dhe as do të ndjekë shembullin e presidentit që e pranoi ligjin në heshtje.
Një fakt ky i përmendur edhe nga ambasadori amerikan. Top Channel mësoi nga burime jozyrtare, por të mirëinformuara, se Partia Demokratike do ta çojë shumë shpejt ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe jo vetëm kaq. Mes demokratëve deklarata e ambasadorit amerikan është konsideruar edhe si një presion publik ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë të parët që do t’i nënshtrohen “Vetting”-ut. Demokratët i konsiderojnë disa nene të rëndësishme të ligjit të vettingut si pika kyçe, nëpërmjet të cilave qeveria do të kontrollojë sistemin e drejtësisë, duke vendosur nën kontrollin e saj direkt procesin e verifikimit të pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të njëjtën analizë opozita bën edhe për të paktën 2 ligje të tjera që pritet të miratohen me paketën e 29 shtatorit.
Por Shtetet e Bashkuara thonë se ajo që presin nga partitë politike në Shqipëri është të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi.
Diskutime rreth kësaj post