Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, komentoi sot në një prononcim për mediat, propozimin e PD për ndryshimet në kushtetutë. Sa i takon vetingut të politikanëve, Gjiknuri u shpreh se Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për pastërtinë e figurës.
“Unë e dhashë përgjigjen time pak më parë. Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për të bërë pastërtinë e figurës së politikanëve. Ne kemi ILDKPI për deklarimin e pasurisë, është ligji i dekriminalizimit si dhe është dhe vota e qytetarëve në fund”, tha Gjiknuri.
Për sa i përket Reformës Zgjedhore, ku dhe ai është bashkëkryetari i propozuar nga socialistët, Gjiknuri, theksoi se PS pret të vijë opozita dhe së bashku të caktohen sa më parë grupet e punës.
“Unë në fakt pres të vijë opozita dhe të caktojnë dhe njerëzit e tyre për Reformën Zgjedhore. Ka një eksperiencë si nis Reforma Zgjedhore, ajo nis nga rekomandimet e OSBE-ODHIR. Ne i kemi tashmë rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe le të fillojmë nga puna”, vijoi Gjiknuri.
Gjithashtu Gjiknuri tha se PS është e gatshme të futet në garë në të gjitha bashkitë, ku do të shpallen zgjedhjet lokale nga gjykata Kushtetuese dhe që do të dekretohen nga presidenti.
Diskutime rreth kësaj post