Reforma në administratën publike do të mbetet prioriteti dhe angazhimi kryesor i qeverisë ‘Rama 2’ edhe gjatë vitit 2018. Shqiptarja.com zbardh planin e qeverisë, me 8 pika kyçe, për administratën publike, për vitin që vjen. Plani ka marrë konfirmimin e Kuvendit, ndërsa do të zbatohet nga Departamenti i Administratës Publike, që ditët e para të janarit deri në fund të vitit 2018. Pas 790 njerëzve të drejtësisë dhe uniformave blu, Vetingut do t’i nënshtrohet edhe e gjithë administrata publike.
Rreth 85 mijë punonjës të administratës do të testohen për integritetin dhe ndershmërinë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Fillimisht, parashikohet që Vetingut për integritetin do t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që aplikojnë për t’u punësuar në administratë. Më pas, testin e ndershmërisë do të duhet që ta kalojë stafi i ambasadave. Procesi do të përfshijë më tej të gjithë drejtorët e administratës. Në vijim, Vetingu do të shtrihet tek të gjithë punonjësit e administratës.
Në planin për vitin 2018 nuk parashikohen masa për ata që nuk do ta kalojnë testin e integritetit, por ndoshta ky proces mund të shoqërohet me ndryshime të nevojshme ligjore, siç po operohet edhe me Vetingun në Polici. Po ashtu, duke iu referuar planit, bashkimi dhe shkrirja e institucioneve, aty ku shihet e nevojshme, do të vijojë edhe gjatë vitit 2018. Gjithashtu, gjatë vitit 2018, është parashikuar rishikimi i organizimit të institucioneve, eliminimi i mbivendosjes funksionale midis strukturave ekzistuese si dhe ndryshimi i funksionit të strukturave.
Gjatë vitit që vjen, Departamenti i Administratës Publike do të fokusohet të përmirësimi i cilësisë së përshkrimeve të punës për punonjësit si dhe tek përmirësimi i testeve të konkurseve për rekrutimin e punonjësve të rinj në administratë, për lëvizje paralele apo për rritje në detyrë. Për vitin 2018 është planifikuar edhe vlerësimi i performancës së nëpunësve civilë si dhe i kapaciteteve ekzistuese. Trajnimi i administratës do të jetë gjithashtu një tjetër objektiv i rëndësishëm i Departamentit të Administratës Publike.
Reforma nis nga DAP
Gjatë vitit 2018, reforma do të nisë nga vetë Departamenti i Administratës Publike. Plani parashikon forcimin e kapaciteteve të DAP dhe njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës shtetërore, për të çuar përpara reformën në shërbimin civil, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme për kuptimin e politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore, ndërlidhjen dhe efektet e tyre.
Po gjatë vitit 2018, është parashikuar rishikimi i strategjisë ndërsektoriale të reformës në administratën publike 2015-2020, nëpërmjet përcaktimit më të plotë të planit të aktiviteteve parashikuar për t’u zbatuar për periudhën 2018-2020, duke orientuar kështu nevojat financiare në kuadër të programit buxhetor afatmesëm.
Plani për administratën publike për vitin 2018
1.Ndërtimi i institucioneve të administratës shtetërore, rishikimi funksional i tyre, do të bëhet në zbatim edhe të programit të qeverisë për një qeveri që fokusohet te qytetarët
2.Përmirësimi i cilësisë së përshkrimeve të punës, duke hartuar përshkrime të përgjithshme të punës të cilat do të shërbejnë si baza e hartimit të përshkrimeve specifike të punës nga ministritë e linjës dhe institucionet në varësi.
3.Përmirësimi i procesit të përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidatëve që konkurrojnë për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore.
4.Zbatimi i mekanizmave ligjorë për të testuar dhe verifikuar paraprakisht integritetin e kandidatëve për vende pune dhe në vijimësi integritetin e punonjësve, në administratën publike.
5.Vlerësimi i performancës së nëpunësve civilë si dhe i kapaciteteve ekzistuese.
6.Zbatimi i mëtejshëm i vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe rikthimi në detyrë i nëpunësve civilë gjyqfitues.
7.Zhvillimi i mëtejshëm i metodave inovative për të përmirësuar dhe lehtësuar komunikimin dhe ndërveprimin mes institucioneve publike dhe qytetarëve.
8.Forcimi i vazhdueshëm i ASPA si ofrues i trajnimeve për shërbimin civil dhe kryerjen e studimeve dhe hulumtimeve në fushën e administratës publike.
Diskutime rreth kësaj post