Ish-kryeministrit Sali Berisha i ka dalë në krah vetëm Tritan Shehu sa i takon përballjes me amerikanët. Berisha dje doli në një konferencë për mediat ku lëshoi shumë mesazhe të forta ndaj ambasadores Yuri Kim, ndaj kryedemokratit Lulzim Basha dhe anëtarëve të Partisë Demokratike.
Berisha kërkoi që demokratët të mos përfshihen në telashet e tij, por ama ua bëri të qartë se duhet ti kërkojnë ambasadores amerikane prova dhe fakte për vendimin e DASH kundër tij. Po ashtu ish-kryeministri kërkoi nga deputetët të reagojnë ndaj Yuri Kim dhe ajo të kërkojë falje për deklaratat e lëshuara nga selia e PD.
Nga ana tjetër, nga i gjithë grupi parlamentar i vetmi deputet që reagoi ishte Tritan Shehu, asnjë deputet i zgjedhur nga 25 prilli nuk mbajti një qëndrim dhe kështu qëndroi edhe presidenti Ilir Meta. Si gjithmonë në krah të Berishës doli edhe televizioni i familjes së tyre.
Ndërkohë lideri aktual i PD, si pas deklaratave të ambasadores Yuri Kim ashtu edhe tani pas deklaratave të Berishës nuk ka bërë asnjë reagim për situatën. Deputeti Tritan Shehu me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook u shpreh se që nga deputetët e tjerë, kreu demokrat e deri tek Berisha, secili ka të drejtën e domosdoshmërinë për të qëndruar në sallën e parlamentit. Teksa i referohet Berishës me madhështi, si promotor i demokracisë në Shqipëri, Shehu deklaroi se PD do të vazhdojë rrugën e saj në parlament duke luftuar për të drejtën.
“Të gjithë neve në atë Parlament që po vjen, prej Kryetarit Basha e deri te deputeti më i thjeshtë aty, prej deputetit më të ri e deri te promotori i Shqipërisë demokratike Berisha, i gjithë grupi i ynë ka jo vetëm legjitimitetin por dhe domosdoshmërinë historike për të qëndruar në atë sallë. E kemi bërë disa herë me sukses këtë, duke luftuar për të drejtën”, – tha ai.
Reagojnë Bejko e Kadilli
Nga ana tjetër lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Roland Bejko. Ai u shpreh se priste që Berisha të distancohej nga PD dhe të ndiqte një rrugë personale. Bejko tha se ish-kryeministri është duke e vendosur partinë në një situatë të vështirë dhe kjo mund të çojë në izolim. Sipas tij, largimi i Berishës nga parlamenti nuk është iluzion i ambasadores por vendim i SHBA.
“Më duket sikur PD do të kalojë në një periudhë izolimi. Duke u nisur nga fakti që lideri i saj historik Berisha e ka drejtuar PD prej shumë vitesh, them që do e fusë PD në pozicion të vështirë. Për një njeri që e njeh mirë gjeopolitikën prisja që Berisha mund të distancohej nga PD dhe të ndiqte një rrugë të tij personale edhe duke qenë deputet por jo si përfaqësues i Grupit parlamentar. Në këto kushte, mos të ketë askush iluzionin që është vullneti i ambasadores. Ky është një qëndrim i SHBA”, – tha ai.
Edhe ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli reagoi rreth qëndrimit të Bashës lidhur me Berishën. Kadilli tha se në një situatë të tillë ku është i hapur konflikti mes DASH e Berishës, kreu demokrat mundohet ta mbajë mirë me të dyja anët por nuk mund të mbahen 2 kunguj nën një sqetull.
“Në krizën më të rëndë në raportin e PD me partnerin strategjik të Shqipërisë, kryetari fshihet! Ja le Berishës ta shpallë qëndrimin. Heshtja e Bashës në këtë moment kur kemi një konflikt të hapur mes DASH dhe Berishës nuk i jep lidership demokratit. Basha hesht! Do ta mbajë mirë edhe me amerikanët, edhe me Berishën. Nuk mbahen dy kunguj në një sqetull”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post