Gazetari Mentor Kikia ka përkujtuar përmes një postimi në rrjete sociale eksodin masiv të largimit të shqiptarëve 30 vite më parë drejt Italisë. Kikia shkruan se shqiptarët ndër vite janë larguar nga atdheu i tyre, madje edhe sot, ndërsa të vetmit që nuk largohen janë politikanët e korruptuar.
Postimi i plotë:
“Një histori e mbushur vetëm me arratisje
Këto foto janë vetë historia jonë.
Pikërisht atëherë kur sapo kishim shpërthyer dyert e burgut tonë të madh, ne nisëm arratinë tonë me përmasa biblike. Nëse nuk do të ishin filmimet dhe fotot, as ne që e përjetuam nuk do ta besonim atë që ka ndodhur atë kohë.
Në fakt ky ishte vetëm fillimi!
Anijet e mëdha e të ndryshkura, u zëvendësuan nga flota e skafeve që dërgonin natë e ditë njerëz matanë detit.
Nga kufiri tokësor vazhdonte marshimi me ditë të tëra në këmbë, në borë e në vapë.
Njerëz të mbytur në det e njerëz të vrarë në pyjet e Greqisë
Historia nuk ngopej. Vendosmëria për të ikur nuk kishte limit. Njerëz që futeshin në kamionë frigoriferikë e dilnin të ngrirë në brigjet angleze. Të rinj që udhëtonin me ditë nën shasitë e kamionëve.
Plot 30 vjet. Një gjeneratë e tërë. Me gjithë tragjizimin e saj, kjo arrati shpëtoi një popull të tërë nga uria dhe ushqeu për dy dekada me radhë një nga ekonomitë më të varfëra në botë. Gati gjysma e popullsisë, ajo më energjikja, iku.
Por, në Shqipëri, një tjetër gjeneratë, vazhdon të ikë. Jo me anije, por me pasaporta në duar. Të tjerë ikin përmes kontratave të punës dhe shkollës.
Kanë ikur e duan të ikin. Vetëm një kastë njerëzish, as kanë ikur, as duan të ikin. Kasta politike e korruptuar, ata që kanë qenë që atëherë kur mbusheshin anijet dhe duan të jenë përgjithmonë.”-shkruan Kikia.
Diskutime rreth kësaj post