Inflacioni për muajin korrik shënoi 2 për qind, raporton Instituti i Statistikave me një rënie të papërfillshme krahasuar me qershorin. Ndërkohë, edhe krahasuar me një vit më parë ndryshimi është i vogël.
Në korrikun e 2016-s indeksi i çmimeve të konsumit ishte 1.9%. Ndikimin më të madh në inflacion e ka dhënë grupi i ushqimeve që zë dhe peshën kryesore. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 4.7%.
Brenda këtij grupi, çmimet e zarzavateve u rritën me 13.7% dhe frutave 11.2%, kurse për ushqimet e tjera shtrenjtimi ka qenë më i përmbajtur, me përjashtim të vajrave, janë shitur me 3% më lirë. Me rritje 3.4% është grupi i mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, ndërsa për kategoritë e tjera si pije alkoolike, duhan, por edhe shërbime si transport e komunikim rritja me bazë vjetore është më e ulët.
Në krahun rënës është grupi i veshjeve dhe këpucëve me ndryshim vjetor minus 1.7%, pasuar nga grupet argëtim dhe mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje me minus 0.1% secili.
Diskutime rreth kësaj post