Lëvizja Vetëvendosje e ka përshëndetur gatishmërinë e liderit të PDK’së, Kadri Veseli, që të tërhiqet nga kandidatura për postin e Kryeparlamentarit. Përmes një publikimi në Facebook, Vetëvendosje ka thënë se kjo ka qenë koha e fundit që Veseli të reflektojë, dhe kanë thënë se presin që PAN ta nominojë ndonjë kandidat sa më gjithëpërfshirës për Kryetar Kuvendi.
“E përshëndesim tërheqjen e Veselit nga kandidatura për kryeparlamentar. Ka qenë koha e fundit për reflektim. Ne tash presim se kush do të jetë kandidati i PAN për kryetar kuvendi. Le ta propozojnë ndonjë personalitet që është sa më gjithpërfshirës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sa i përket propozimit të Veselit që me tërheqjen e tij, VV ta votojë Haradinajn për Kryeministër, nga VV thonë se ata nuk bëjnë marrëveshje me Veselin.
“Sa i përket kërkesës së Veselit që ne ta votojmë Haradinajn, ne nuk mund të bëjmë marrëveshje me Veselin. Është Veseli ai që ka marrëveshje me Haradinajn. Pas dështimit të z.Haradinaj për të formuar qeverinë, radha i kalon të nominuarit tone”.
Pas dështimit që në seancën e sotme të votohet për Kryeparlamentarin, Veseli tha se është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura për postin e kreut të Parlamentit, nëse VV e voton kabinetin qeveritar të Ramush Haradinajt.Seanca e radhës në Kuvend është thirrur për të premten në ora 10, por nga koalicioni PAN tashmë kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë.
Diskutime rreth kësaj post