Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, komenton vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Sali Berisha.
Godole kujton ngjarjet e ndodhura më 1999 në Gjermani me partinë CDU, e cila kishte humbur zgjedhjet pas 16 vitesh në pushtet, ku sipas studiueses shqiptare, ish-kancelari Helmut Kohl – lider historik që kishte mundësuar bashkimin e Gjermanisë dhe drejtues i CDU për 25 vjet – mbajti një fjalim në Këshillin Drejtues të partisë ku merrte i vetëm përgjegjësinë për akuzat që i bëheshin se kishte financuar për vite të tëra partinë me donacione anonime, të shpërndara në llogari të ndryshme bankare.
Sipas Godoles, “Mbështetësit e Helmut Kohl brenda partisë, ose i dolën në krah, ose heshtën, ndërkohë që kjo aferë korruptive dihej se do ta dëmtonte rëndë imazhin e CDU që shpresonte të rikthehej sa më parë në pushtet”.
Teksa sjell në vëmendje këtë, Godole thekson se nuk krahasohet me atë që po ndodh sot në vendin tonë, me vendimin ndaj Berishës, por sipas saj, “Vetëm institucionet shqiptare mund ta gjykojnë dhe t’i japin pafajësinë apo jo liderit historik të PD dhe tranzicionit të dhimbshëm shqiptar. Nga ana tjetër, ky është një moment historik për PD që të shohë thellë brenda vetes së saj dhe të mbajë përgjegjësi për të shkuarën, në mënyrë që të mos rrezikojë të ardhmen”.
Postimi i plotë i Godoles:
“Më 30 nëntor 1999, një vit pasi CDU kishte humbur zgjedhjet pas 16 vjetësh në pushtet, ish-kancelari Helmut Kohl – lider historik që kishte mundësuar bashkimin e Gjermanisë dhe drejtues i CDU për 25 vjet – mbajti një fjalim në Këshillin Drejtues të partisë ku merrte i vetëm përgjegjësinë për akuzat që i bëheshin (Schwarzgeldaffäre), se kishte financuar për vite të tëra partinë me donacione anonime, të shpërndara në llogari të ndryshme bankare.
Kohl u mbrojt duke thënë se për shkak të „Ehrenwort“, fjalës së nderit që u kishte dhënë donatorëve, ai nuk do t’ua përmendte kurrë emrat. Mbështetësit e Helmut Kohl brenda partisë, ose i dolën në krah, ose heshtën, ndërkohë që kjo aferë korruptive dihej se do ta dëmtonte rëndë imazhin e CDU që shpresonte të rikthehej sa më parë në pushtet.
Heshtjen e theu vetëm një grua, Angela Merkel, më 22 dhjetor 1999, sekretare e përgjithshme e partisë në atë kohë, dhe e mbështetur në karrierën e saj politike pikërisht nga Helmut Kohl.
„Çupa e Kohlit” (Kohl’s Mädchen), siç e quanin Merkelin, përmes një artikulli në gazetën konservatore „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ vlerësonte kontributin historik të Kohl në parti, por e dënonte atë për qëndrimin që po mbante, pasi po respektonte më shumë fjalën e dhënë duke mbrojtur një veprim ilegal, sesa ligjin. CDU duhet të mësonte të shkonte përpara edhe pa Helmut Kohlin, „kalin e betejës“ në luftën me kundërshtarët politikë. Veprimet e Kohl e kishin dëmtuar partinë sipas Merkelit, dhe shfajësimet e tipit „të sqarojmë njëherë gabimin“ apo „të ruajmë trashëgiminë“ e Kohl, nuk kishin më vend. Kush kërkonte gjoja zbardhjen e aferës, në të vërtetë kërkonte shkatërrimin e CDU.
Se çfarë ndodhi më pas, është histori tashmë. Në prill 2000, Angela Merkel u zgjodh kryetare e CDU me 895 vota nga 937 gjithsej dhe nga viti 2005 deri më sot ajo vazhdon të jetë kancelare e Gjermanisë.
Akuzat ndaj Helmut Kohl dhe vështirësia e CDU për t’u përballur me figurën e tij historike, m’u kujtuan dje pas vendimit të DASH për ta shpallur Berishën non-grata në SHBA. Ngjashmëritë mes dy rasteve, kuptohet, nuk janë të gjetura dhe as nuk mund të krahasohen dy kontekste të ndryshme.
Por diçka mund të mësohet edhe nga kjo histori: Vetëm institucionet shqiptare mund ta gjykojnë dhe t’i japin pafajësinë apo jo liderit historik të PD dhe tranzicionit të dhimbshëm shqiptar. Nga ana tjetër, ky është një moment historik për PD që të shohë thellë brenda vetes së saj dhe të mbajë përgjegjësi për të shkuarën, në mënyrë që të mos rrezikojë të ardhmen.
PD duhet të ecë me këmbët e veta!-shprehet Godole.
Diskutime rreth kësaj post