Klientët familjarë, që kanë fituar statusin e klientëve në nevojë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligjin e ri për sektorin e energjisë të vitit 2015 kanë të drejtën e përfitimit të shërbimit universal të furnizimit, sipas kushteve të veçanta të furnizimit, të cilat miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë. Një vendim i qeverisë, “Për detyrimet që kanë të licencuarit në sektorin e energjisë” është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe bën të detyrueshëm aksesin në energji me kostot të ulët të familjeve që nuk kanë aftësi paguese.
Ligji i ri për sektorin e energjisë që hyri ne fuqi vitin që shkoi detyron Ministrinë për Çështjet Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjinë dhe atë të Financave, dhe në konsultim me ERE-n e grupet e interesit të hartojë kriteret dhe procedurat për përfitimin e statusit të klientit në nevojë dhe mënyrën e trajtimit të tyre, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas ligjit kriteret për përfitimin e statusit të klientit në nevojë marrin në konsideratë:
-Klientët me të ardhura më të ulëta, të cilët e përdorin energjinë elektrike për furnizimin e vendbanimit tyre të përhershëm.
– Klientët që kanë konsum të energjisë elektrike të lidhur në rrjetin njëfazor me një fuqi maksimale prej 16 amper.
– Nivelin maksimal të konsumit të energjisë për person, në varësi të sezonit.
– Mënyrën e përkrahjes së drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit.
Klientët në nevojë, që përfitojnë mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, regjistrohen në një regjistër të veçantë nga struktura përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për mirëqenien sociale. Ky informacion i dërgohet Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe furnizuesit të energjisë elektrike.
Klientët në nevojë, që përfitojnë mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, duhet të përdorin fondet e përfituara për të paguar detyrimet e energjisë elektrike.
Financimi për mbështetje të klientëve në nevojë duhet të bëhet në mënyrë jodiskriminuese, duke mos lejuar ndërfinancimin nga kategoritë e tjera të klientëve të energjisë elektrike.
Ligji thotë se nëse për shkak të ndryshimit të rrethanave, klienti humb statusin e klientit në nevojë, struktura përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për mirëqenien sociale e heq nga regjistri i klientëve në nevojë dhe njofton Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe furnizuesin. Të dhënat e klientit të hequr nga regjistri i klientëve në nevojë duhet të ruhen për një periudhë prej 5 vjetësh pas çregjistrimit.
Mbi bazën e të dhënave të përcjella, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe furnizuesi krijojnë dhe ruajnë një regjistër të të dhënave të klientëve në nevojë. Të dhënat e regjistrit mund t’i vihen në dispozicion klientit në nevojë, në çdo kohë që kërkohen nga ky i fundit.
Avokati i Popullit në një raport drejtuar Kuvendit pak kohë më parë ka raportuar se të varfrit nuk kanë mundësi të paguajnë energjisë, teksa furnizimi me këtë produkt sipas konventave evropiane është e drejtë themelore. / monitor
Diskutime rreth kësaj post