Vijnë ndryshimet e para për Shqipërinë pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Flamuri i Bashkimit Europian do të ngrihet përkrah flamurit kombëtar në të gjitha institucionet publike, në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme. Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave është publikuar në Fletoren Zyrtare të hënën, 8 gusht.
Me propozim të ministres së Jashtme Xhaçka, qeveria ka bërë disa shtesa në ligjin nr. 8926, datë 22.7.2002, “për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”.
Ndryshimet janë bërë në nenin 4, pika 2, ku shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: “Përjashtim nga ndalimi i ngritjes dhe vendosjes së flamujve të huaj, sipas kësaj pike, përbën flamuri i Bashkimit Evropian, i cili vendoset përkrah flamurit kombëtar në të gjitha institucionet publike, në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme.” Sipas ligjit të vjetër, ” të gjitha institucionet publike detyrohen te vendosin flamurin kombëtar ne mjediset e tyre te brendshme dhe te jashtme.
Ne këto institucione ndalohet ngritja ose vendosja e flamurëve te huaj, me përjashtim të rasteve të pritjeve ose të ceremonive protokollare dhe të solemniteteve të tjera, të parashikuara në ligj, por gjithmonë të shoqëruara nga flamuri kombëtar. Në këtë rast flamuri kombëtar nuk mund të jetë në përmasa më të vogla se flamurët e tjerë”.
Diskutime rreth kësaj post