Sekretari i Partisë Demokratike për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata ka mbajtur një komunikim me shtypin në selinë e Partisë Demokratike, ku ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Kërkesë kjo pas vendimit të Kushtetueses për pezullimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Në deklaratën e tij, ai thotë se autorët e krimit kushtetues përfituan nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë veprime antikushtetuese, përfunduar kështu në abuzime me pushtetin.
“Vendimi dëshmoi se Edi Rama dhe Erion Veliaj, shkelën Kushtetutën, dhunuan artistët, aktivistët dhe qytetarët, shembën dhunshëm Teatrin Kombëtar, madje duke përdorur edhe forcat RENEA e armatosur deri në dhëmbë, vetëm për të çuar deri në fund grabitjen e tokës publike, për t’i liruar vendin kullave me të cilat do të pastroheshin paratë e pista të drogës dhe korrupsionit”, – tha Gjata, duke shtuar se hetimi i çështjes së teatrit do të ishte një sfidë për SPAK. Sipas tij, PD ka bërë një padi, por nuk ka ende asnjë masë.
“13 muaj më parë Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK për 22 zyrtarë mes të cilëve janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Sot nuk ka asnjë përgjegjës përpara drejtësisë, as për dhunën e ushtruar, as për aktin e paligjshëm të shembjes së teatrit. Kjo vonesë ngarkon me përgjegjësi SPAK-un para shqiptarëve, sepse vendosja e drejtësisë për teatrin është një provë e rëndësishme për funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion”, – ka vazhduar më tej Gjata. Ndërkohë, nga pala e të akuzuarve duket se ka një reagim ku shihet si favorizues vendimi i Kushtetueses.
“Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan, boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh”, – ka thënë Erion Veliaj përmes një statusi në Twitter. Duke kujtuar se të premten, Gjykata Kushtetuese pezulloi ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar duke rrëzuar kështu ligjin special dhe kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Diskutime rreth kësaj post