Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha “non grata” duket se ka nisur të shqetësojë edhe socialistët.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se në Shqipëri është krijuar një sistem Prokurorie i pavarur si themel për të përmbushur pritshmërinë e aleatëve ndaj reformës në drejtësi. Ai tha se sistemi i drejtësisë i pavarur garanton një shoqëri të barabartë teksa u ndal edhe tek leksioni i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
Sipas Ballës, leksioni i Blinken për vendimin e DASH ndaj Berishës, është një thirrje për të gjithë deputetët që të kenë mendjen në kokë.
“Kemi krijuar një sistem Prokurorie tërësisht të pavarur ku parimi i pavarësisë së funksionalitetit të çdo prokurori është themel i garancisë për të pasur një regjistër dënimesh penale të tilla që të përmbushin pritshmëritë e partnerëve tanë sikurse janë SHBA dhe BE. Mendjen në kokë duhet ta ketë secili të plotë. Partnerët e SHBA janë aleatë të Shqipërisë e shqiptarëve. Një sistem drejtësie i pavarur mund të garantojë një shoqëri të barabartë. Leksion i sekretarit Blinken përkundrejt atyre që kanë penguar reformën është një leksion që mendjen në kokë duhet ta kenë të gjithë”, – tha ai.
Balla po ashtu foli edhe për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta për të cilën u shpreh se Gjykata Kushtetuese është duke dhënë rezultatet e saj. Ai tha se procesi i shkarkimit të Metës mund të certifikohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese ku sipas tij kjo tregon funksionalitetin e drejtësisë së re.
“Fatmirësisht kemi parë vendimet e para të Gjykatës Kushtetuese. Besoj se ishte shterues për të gjithë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të gjitha dilemat që kishim, që Presidenti nuk mund të dalë mbi Kuvendin kur bie fjala për dekretet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë ka një proces shkarkimi për Presidentin e Republikës. Procesi i shkarkimit certifikohet vetëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ja pra një hap tjetër i nevojës për funksionalitet i të gjithë strukturave të drejtësisë së re”, – tha Balla.
Balla flet për ecurinë e reformës në drejtësi
Ndërkohë Balla foli edhe për ecurinë e reformës në drejtësi dhe problematikat e Shkollës së Magjistraturës. Ai u shpreh se Shkolla e Magjistraturës është model unik dhe nuk është e dobët. Balla tha se emërtesën në sistem të magjistratëve nuk e ka më politika që prej vitit 2016 dhe kjo sipas tij ishte gjëja e duhur për ecurinë e sistemit.
“Lidhur me çështjen tjetër të ecjes përpara të reformës në drejtësi apo problematikat e Shkollës së Magjistraturës, unë nuk mendoj se ne kemi një Shkollë Magjistrature të dobët, përkundrazi. Në fund të fundit, Shkolla e Magjistraturës është model unik për çdo vend për përgatitjen profesionale të magjistratëve. Në fund të fundit ajo që ne kemi garantuar është heqja dorë nga sëmundja 26-vjeçare, kur miratuam reformën në drejtësi, ku emërtesën në sistem të magjistratëve nuk e ka më politika.
Deri në vitin 2016, kur votuam reformën në drejtësi, anëtari i një gjykate apo një prokuror emërohej me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, në rastin e prokurorit apo të KLD, në rastin e gjyqtarit, ku kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte Presidenti. Në këtë këndvështrim unë mendoj se kemi bërë gjënë e duhur. Ne politikanët nuk kemi më punë me emërimin e anëtarëve të sistemit gjyqësor apo Prokurorisë në këtë vend”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post