Plani i Theresa May, për të nisur negociatat për “Brexit”-in në fund të marsit të ardhshëm, nuk do të pengohet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, që vendosi se Parlamenti duhet të votojë për këtë çështje.
Zëdhënësja e kryeministres britanike konfirmoi se, qeveria do të apelojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe se nuk do të ketë asnjë vonesë në procesin e largimit nga BE-ja.
Por vendimi i Gjykatës së Lartë, sipas të cilit Parlamenti britanik duhet të aprovojë aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, ka entuziazmuar deputetët që duan qëndrimin në union. Gjithashtu i ka shtuar shpresat qeverisë skoceze, që të ketë më shumë zë në lëvizjen për t’u larguar nga BE-ja.
Por qeveria britanike u përpoq të zhvlerësojë rëndësinë e vendimit të gjykatës, duke ngulur këmbë se plani i “Brexit”-it është në rrugën e duhur.
“Kryeministrja është e vendosur se qeveria do të respektojë vendimin e popullit britanik, duke nxjerrë vendin nga BE-ja. Jemi të vendosur të vazhdojmë planin dhe të ndjekim afatet e përcaktuara. Nuk kemi ndërmend, që të lejojmë këtë vendim të ndikojë tek afatet për aktivizimin e nenit 50”, shkruhet në një komunikatë të qeverisë britanike.
Avokatët e qeverisë thonë se, shumica e popullit vendosi në favor të “Brexit” dhe nuk ka nevojë për miratimin e askujt tjetër. Ndërsa sipas Gjykatës së Lartë, qeveria britanike ka nevojë për miratimin e Parlamentit për të vazhduar më tej.
Analistët thonë se, nëse pengimi i “Brexit” bëhet realitet, atëherë kryeministrja May mund të vendosë të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe ta bëjë aktivizimin e nenit 50 një premtim fushate. Më pas do t’i duhet të marrë shumicën dhe të kthehet në Parlament për ta votuar atë.
Diskutime rreth kësaj post