Veliaj vlerësohet për reformën në pensione dhe drejtimin e Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në Forumin Ekonomik 2016 të Universitetit të Harvardit dhe Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, i cili mbylli punimet sot në Sri Lanka. Nën drejtimin e Nobelistit të Ekonomisë, Joseph Stiglitz dhe Ricardo Hausman, forumi ka çmuar rikthimin e Tiranës në vëmendjen ndërkombëtare pas 4 viteve mungesë. Veliaj, i cili gjatë punimeve të forumit mbajti edhe një fjalë, u vlerësua për reformën kurajoze në pensione, të cilën më herët Banka Botërore e ka cilësuar “një nga më të mirat në botë në konceptim, implementim e komunikim”.
Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj bëri publike edhe nismën e fundit të Bashkisë së Tiranës për të organizuar Konferencën e Donatorëve e Investitorëve për Tiranën në 20 Janar – Tirana Smart City 2016-2026. Bashkia ka përgatitur rreth 100 projekte për investime e mbështetje nga agjencitë ndërkombëtare në vlerën e mbi 200 mln USD. Projektet variojnë nga PPP për ndërtimin masiv të shkollave, dy terminalet lindore e veriore, rrjeti i korsive të biçikletave, modernizimi i transportit publik, rrjeti i ndriçimit e kanalizimeve, banesat për komunitetin rom e deri te strehat e kafshëve të rrugës. Konferenca që do të mbledhë rreth 500 agjenci donatorësh e investitorë mbështetet e bashkë-organizohet me UNDP.
Gjatë 20 viteve të fundit, si pasojë e një urbanizimi dinamik dhe hyrjes në fuqi të Reformës Territoriale dhe Administrative, Tirana ka pësuar një rritje të ndjeshme për sa i përket mbulimit gjeografik, numrit të popullsisë dhe aktivitetit ekonomik. Sot, sfera e shërbimeve të ofruara nga Bashkia e Tiranës, shtrihet në një sipërfaqe të paktën 25 herë më të madhe krahasuar me vitin 2015.
Diskutime rreth kësaj post