Edhe pse ditë pushimi, nxënësit e shkollës “Besnik Sykja” i janë bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjellje pemësh.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se synimi i nismës së ndërmarrë nga bashkia është që deri në vitin 2030 në kryeqytet të jenë mbjellë 2 milionë pemë.
“Për të pasur një qytet që sot ka mbi 1 milionë pemë të reja, duhen mbjellë nga disa qindra çdo ditë. Sa të ketë shira dhe të ketë mjaftueshëm lagështirë, do të shfrytëzojmë çdo ditë për të mbjellë qindra pemë të tjera e për t’u siguruar që edhe këtë vit e kalojmë atë nivelin 150 mijë pemë në vit, për të mundësuar që deri në 2030 të kemi mbjellë 2 milion pemë në Tiranë”, tha Veliaj.
Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër dhe me më shumë oksigjen.
“Është shumë kollaj të gjykosh dikë që mbjell pemë sepse kur je në divan çdo gjë të duket shumë e lehtë. Është shumë kollaj të jesh cinik kur je në karrige, përpara internetit, për t’i dhënë mend gjithë dynjasë. Por të marrësh lopatën është një çikë më e vështirë se do të thotë se dikush çohet me një mision për qytetin”.
Fushatës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar mjaft personazhe të njohur, të cilët kanë zgjedhur që familjarëve të tyre t’ju lënë një kujtim të veçantë në qytet.
Diskutime rreth kësaj post