Pas zgjerimit të pjesës jugore, Parkut të Liqenit do t’i shtohet edhe një hapësirë tjetër e gjelbëruar prej 2.5 hektarësh, nga ana veriperëndimore e tij. Territori që deri më sot ka shërbyer si Garda e Republikës, do t’i kthehet qytetarëve si pjesë e parkut, për çlodhje dhe argëtim. Kështu deklaron Bashkia e Tiranës duke iu përgjigjur dhe akuzave të Partisë Demokratike, e cila tha sot se po betonizohet hyrja e parkut të Kiqenit.
Në inspektimin e hapësirave të reja që i bashkohen parkut, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ato do t’i kalojnë në administrim Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, për ta bërë edhe këtë zonë një pjesë integrale të Parkut të Madh të Liqenit, çka i jep qytetit më shumë gjelbërim dhe oksigjen
“Sot është një ditë shumë e mirë për qytetarët e Tiranës, kryesisht për ata qytetarë që frekuentojnë parkun e Tiranës. Një agjenci model e jona, si Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e ka transformuar plotësisht atë: Kemi përfituar të gjithë pjesën jugore, kemi shtuar pistat për biçikletat në hapësira ku njerëzit kalojnë për herë të parë, madje as nuk do ta besojnë se kjo ishte në Tiranë, një hapësirë e zaptuar, dhe u desh vullneti i kësaj bashkie e qeverie për të liruar territorin. Sot është një ditë akoma më e mirë sepse marrim edhe 2.5 ha nga Garda e Republikës, për t’ia shtuar parkut të Tiranës”, tha Veliaj.
Ai theksoi se transformimi që ka pësuar Parku i Madh i Liqenit në këto tre vite është shembulli më i mirë se edhe kjo zonë, që deri më tani ishte e ndaluar për qytetarët, të shndërrohet në një hapësirë plotësisht e aksesueshme dhe e shfrytëzueshme për ta.
“Garda e Republikës ka dy pjesë: një pjesë i shkon Bashkisë së Tiranës, një pjesë i shkon Ministrisë së Ekonomisë, si pjesë e aseteve, por pjesa e Bashkisë së Tiranës, që ka kryesisht asete të vjetra, ndërtesa të rrënuara, pa ndonjë vlerë historike për qytetin, të amortizuara totalisht, do i kthehet si 2.5 ha Parkut të Liqenit. Me një vendim qeverie, kryeministri Rama dhe ministrat i falën qytetit një hapësirë që ishte një zonë e paaksesueshme nga qytetarët, kryesisht për mjete të ushtrisë dhe Gardës, por tani e gjitha do të shkojë në administrim të APR-së. Kush ka parë si është transformuar liqeni në këto tre vjet, ka një garanci të jashtëzakonshme se kështu do të transformohet dhe kjo pjesë e parkut”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se akuzat e opozitës burojnë nga interesa të ngushta dhe krejtësisht private, e jo nga interesi i qytetarëve, të cilët duan që ky territor t’i shtohet parkut.
“Unë e kuptoj shqetësimin e Partisë Demokratike! Të gjitha këto kanë qenë llokma të prenotuara për kunetër, për vjehërr. E kuptoj shqetësimin e tyre, duhet të jenë realisht të tronditur që kjo hapësirë i shkon qytetit dhe jo kunetërve. Fakti që dalin përditë, përditë për këtë hapësirë, do të thotë se u ka dhembur shumë fakti që këtë hapësirë do e gëzojnë qytetarët e Tiranës dhe jo ata që, në fakt, duhet të kalojnë në vetting. Prandaj, të gjithë jemi buzagaz kur dëgjojmë për vettingun e Lul Bashës, sepse ne presim vettingun e SPAK dhe BKH, që i shkon edhe vjehrrit, edhe kunatit, gjithë fisit e farës ku parkohen asetet e vjedhura nga ky vend. Ndërkohë, marrim sot një version komplet të holluar, ku vettingun e bëjnë vetë politikanët, ku nuk preken vjehërrit e kunetërit, dhe ku sigurisht, nuk japin llogari për gjithë dëmet që i kanë bërë këtij vendi. Por, ne kemi nevojë për një vetting të vërtetë, kemi nevojë për agjenci të vërteta që i menaxhojnë këto asete, dhe jo për vjehërrit e kunetërit”, tha kryetari i bashkisë.
Diskutime rreth kësaj post