Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj, ka kërkuar dje që më 25 prill të mos votohet për “21 Janarin”, Gërdecin apo bllokun 700 mijë euro të presidentit.
Në një takim me banorët e njësisë 4 në Tiranë, ai u bëri thirrje atyre që të mos harrojnë bëmat e dyshes Meta- Berisha kur ishin në qeveri. Sakaq Veliaj, u kërkoi atyre të bëjnë krahasimin dhe të shohin bilancin, ku do të vërejnë se e vetmja gjë që do të kujtohet nga PS është puna, ndërsa nga PD-PS vrasje dhe shkatërrime.
“Mona dhe Luli duan që populli të harrojë: të harrojë Gërdecin, 21 Janarin, bllokun e Ilir Metës dhe ‘97-ën e Saliut. Ata e kanë vënë bastin se ne harrojmë bëmat e pronarëve të tyre, të Metës dhe të Saliut. Ne e kemi vënë bastin që populli kujton dhe nuk vuajmë nga amnezia. Për sa kohë që kemi vënë bastin te kujtesa, duhet që këto 10 javë të jenë javë kujtese. Si ishin gjërat, si po punohet, si janë transformuar, dhe e ardhmja e punët që na presin”, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, Kryemadhi dhe Basha nuk kanë çfarë t’i japin më popullit, ata janë mbledhur një grup humbësish dhe si të tillë po riciklohen për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Po shpërndajnë të gjithë humbësit. E kishin Gridën te Njësia 1, mori rezultatin më të dobët për PD-në. Tani ma kanë sjellë në Kavajë dhe në Rrogozhinë. E kishin Joridën te Njësia 8, bastion i djathtë, por e kemi kthyer në bastion të majtë dhe tani e riciklojnë në Njësinë 4. Aldo Bumçi humbi në Lezhë, e sollën te Njësia 1. Është kthyer riciklimi i humbësve, si ajo loja e fëmijëve me karriget, që të harrojnë ku janë ulur. Vetëm se qeverisja e vendit nuk është punë për fëmijë. Tha Monika kjo është studente e shkëlqyer, hapëm sytë ne: Ajo na doli me pesa! Pra, sipas Monës, të shkëlqyerit qenkan pesanjosët”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, Partia Socialiste në Njësinë 4 do marrë një rezultat spektakolar, pa patur parasysh se kush është kandidati, por vetë PS do fitojë kaq bindshëm në sajë të punës që ajo ka bërë në këto vite qeverisje. Ndërsa PD, sipas tij, fshihet dhe kujtohet vetëm për fushatë elektorale.
“Jo vetëm se është kthyer e gjithë njësia në kantier pune, por është njësia që tipikisht i është përgjigjur sjelljes së politikës. Kur politika ka punuar, është shpërblyer. Kur politika ka dështuar, siç ishte patllakja e Strazimirit te këndi i lodrave, i ka dhënë shkelmin dhe ka 8 vite që s’duken më deputetët e PD. Është njësia tipike ku puna shpërblehet, ku njerëzit janë të ndershëm, ku njerëzit kanë parë transformimin e qytetit, ku njerëzit kanë parë si është rritur vlera e pronës, si po punohet në çdo front”, tha Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post