Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi të martën projektin e parkingut elektronik me pagesë në Tiranë, si mënyra më moderne që shmang kaosin në kryeqytet.
Gjatë analizës vjetore “Tirana Parking”, Veliaj sqaroi se çdo qytetar në Tiranë do të ketë mundësi ta paguaj me celularin e vetë në numrin 50 500 parkingun për 1 orë. “10 minuta para se të përfundoj koha e parkimit atij do ti vijë një mesazh lajmërues”, tha Veliaj.
Sipas tij “kjo është mënyra më moderne se si ne e sjellim qytetin e Tiranës në të njëjtin rang si shumica e qyteteve të zhvilluara’, ku shmanget çdo kontakt fizik në shërbimin e parkimit”. “Ne jemi qyteti i parë në Shqipëri ku eliminohet kontakti fizik me njerëzit. Po ashtu punonjësit e parkimit do të pajisen me një tablet ku vetëm do të fusin targën e makinës dhe do të shohin sa minuta i kanë mbetur dhe nëse parkingu nuk është paguar do të aplikohet gjoba përkatëse”, tha Veliaj.
Çdo ditë në Tiranë lëvizin 200 mijë makina për 4 mijë vende parkimi në gjithë Tiranën, shtoi Veliaj, duke argumentuar se përse nuk mund të funksiononte parkimi falas në kryeqytet. “Duke pasur parkime falas gëzonin 4 mijë veta pasi zinin vendin e parkingut. Sot numri i vendeve të parkimit do të rritet, por edhe 4 mijë vendet e parkimit do të shfrytëzohen nga 80-90 mijë makina. Vetëm në këtë mënyrë ne do të kalojmë në një ssstem rrotacioni ku njëri ia lë vendin tjetrit dhe këtë e realizon vetëm koncepti i pagesës. Ne kemi bërë një kalkulim ku 50 për qind e trafikut në Tiranë shkaktohet nga njerëzit që kërkojnë vende parkimi. Aty ku parkimi është me pagesë kjo nuk ndodh”, shtoi Veliaj.
Ai theksoi gjithashtu se vetëm në sheshin “Skënderbej”do të hapen 300 vende parkimi nëntokësore. “Falë parave të parkimit që janë mbledhur deri tani kemi mbyllur investime që kishte 5 vjet që nuk mbylleshin”, shtoi Veliaj.
Duke renditur disa nga përfitimet e zbatimit të këtij projekti, Veliaj tha se “ne kemi bërë një propozim shumë të guximshëm për këtë vit, ku kemi parashikuar mbjelljen e 2 milionë pemëve për Pyllin Orbital dhe çdo qindarkë që do të vijë nga parkimet do të shkojë për këtë projekt”. “Duke blerë kohën e parkimit praktikisht çdo qytetar ka sponsorizuar një pemë për Tiranën”, tha Veliaj.
Ai theksoi gjithashtu se kompania e parkimit është 100 per qind publike dhe në të punësohen 105 persona. Në total në të gjitha kantieret e ndërtimit ku po punohet në Tiranë, sipas Veliaj, punësohen rreth 10 mijë vetë.
Diskutime rreth kësaj post