Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale dhe bio të zonës, ushqime tradicionale, ishin çfarë ofroi sot Bashkia e Tiranës në dhjetëra aktivitete të organizuara për Ditën e Verës. Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe rrethet, janë bërë pjesë e festimeve të shumta të organizuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, parku “Rinia”, kodrat e Liqenit, lulishtja tek sheshi “Skënderbej”, sheshi “Nënë Tereza”, si dhe zona te Blloku, të cilat që nga orët e para të ditës janë kthyer në hapësira festive për këdo që sot kishte zgjedhur Tiranën për të festuar Ditën e Verës.
Festës i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili pasi është përshëndetur me qytetarë të shumtë, ndoqi nga afër një pjesë të mirë të aktiviteteve të sotme, si dhe përcolli urimin e tij për të gjithë qytetarët e Tiranës. “Gëzuar Ditën e Verës! Sot fillon një stinë e re, një stinë e mbarë, ndaj u uroj të gjithëve mbarësi shëndet, jetë, lumturi në familjet e tyre. Fokusi për Bashkinë e Tiranës edhe në këtë ditë vere, ashtu si në të gjithë këtë vit, kanë qenë fëmijët, ndaj shumica e aktiviteteve ka pasur për qëllim argëtimin e tyre. Edhe shumica e punëve të Bashkisë së Tiranës ka pasur si qëllim fëmijët, duke u fokusuar te kopshtet, çerdhet, shkollat”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Më tej, ai shtoi se ky do të jetë një vit fantastik për Tiranën, pasi Bashkia ka vendosur që të hapë disa kantiere pune, duke filluar nga ai për Sheshin “Skëndërbej”. “Shumë shpejt do të fillojmë me punimet në sheshin “Skënderbej”, fillimisht me dy muaj konsultime publike për t’u siguruar që në fund të këtij projekti, të kemi ndoshta sheshin më të bukur në rajon. Në sheshin “Skënderbej” do të ketë gurë dhe pllaka nga e gjithë Shqipëria, për të treguar unitetin kombëtar, pemë e bimë nga e gjithë Shqipëria, për të treguar përfaqësimin kombëtar dhe besoj se ky është vetëm një nga shumë projektet që Tirana të kthehet në kantier ndërtimi për këtë vit”, u shpreh Veliaj.
Duke filluar nga ora 09:00, u çel Panairi Eko, ku u bënë pjesë kompani lulesh, si dhe disa sipërmarrje riciklimi. Gjithashtu, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u hap edhe Panairi Ushqimor “Markata e Gjelbër”, me produkte bio të zonave përreth Tiranës. Bashkia e Tiranës kishte menduar në këtë ditë edhe për të vegjlit, për të cilët kishte organizuar paradën e nxënësve, ku rreth 1000 fëmijë të veshur më uniforma të gjelbra dhe kafe, u vendosen në formën e një peme sipas koreografisë së veçantë nën moton “Jeto Eko, Festo Eko”, ndërkohë që një hapësirë tjetër i ishte lënë “Bike Fest-Pump Track BMX & MTB Shoë” ku u zhvilluan akrobaci nga profesioniste me biçikleta, gara për fëmijë dhe të rritur.
Për më të vegjlit ishte vënë në dispozicion edhe një kënd lojërash për fëmijë në Parkun “Rinia” me animatorë profesionistë, face painting, artistë me balona, maskota. Ndërsa, në lulishten pas monumentit të Skënderbeut u organizua “Dita e Balonave”. Për më të rriturit ishin në dispozicion disa fusha për tenis, basketboll, minifutball, si dhe sporte të veçanta. Edhe institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës ofruan sot shfaqje për fëmijë dhe të rritur. Teatri Kombëtar i Kukullave dha shfaqje argëtuese për fëmijë, ndërsa Cirku i Tiranës ka organizuar performanca të ndryshme argëtuese për fëmijë dhe të rritur.
Festës nuk i mungoi as muzika, ku grupe të ndryshme muzikore dhe kërcimi sollën një atmosferë tjetër për të pranishmit në rrugët e sheshet e kryeqytetit. Ansambli i Tiranës solli kërcime të ndryshme me motive tradicionale të zonës dhe të festës së 14 Marsit. Ndërsa DJ e grupe xhazi, sollën muzikën moderne për më të rinjtë. Ndërkohë që këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare si Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Kaos, Era Istrefi, Ledri Vula, etj mbajtën një koncert në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aktivitetet festive me rastin e kësaj dite mbyllen në mesnatë me “Telecom Albania Street Party” dhe koncerte alternative me të ftuar të ndryshëm si Tuna & Cozman, Dj Blunt & Real, 21 DJ në rrugët e Bllokut.
Më poshtë prononcimi plotë i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve të Tiranës , “Gëzuar Ditën e Verës!”. Fillon një stinë e re, një stinë e mbarë, dua t’u uroj të gjithëve mbarësi shëndet, jetë, lumturi në familjet e tyre. Fokusi për Bashkinë e Tiranës edhe në këtë ditë vere, ashtu si në të gjithë këtë vit kanë qenë fëmijët, ndaj shumica e aktiviteteve ka pasur për qëllim argëtimin e fëmijëve, edhe shumica e punëve në fakt të Bashkisë së Tiranës ka pasur si qëllim argëtimin e fëmijëve, fokusin tek kopshtet, çerdhet, shkollat.
Më vjen shumë mirë që edhe sot patëm disa organizime, më vjen mirë që patëm hapësira mjaftueshëm dhe për shitësit ambulantë, fëmijët që duan të luajnë, për ata që duan të ecin me karrocë. Ajo që ndodhi sot në sheshin “Nënë Tereza” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është në miniaturë ajo që ndodh në qytet. Një qytet i mirë është një qytet por është shumë e rëndësishme që secili të respektojë hapësirën e tjetrit.
Dua t’ju falenderoj edhe juve, përfaqësuesve të medias për një kontribut fantastik që jepni për qytetin tonë. E di që ky qytet ka një milionë probleme e halle, aq sa ka edhe një milionë banorë, megjithatë me ndihmën tuaj kemi qenë më të përgjegjshëm, kemi bërë maksimumin, pavarësisht se ndonjëherë kushtet financiare dhe mundësitë fizike janë të pamundura.
Dua të falenderoj 50 mijë herë, 50 mijë qytetarët që dolën dje për pastrimin, pasi treguan që realisht ata që e duan qytetin nuk e bëjnë këtë me të bërtitur, me zhurmë e ulërima, nuk e bëjnë këtë me dhunë, e bëjnë me dashuri, me punë e fakte konkrete. Ndaj, dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuojnë me dashuri për ta mbajtur pastër qytetin dhe për ta bërë qytetin të funksionojë.
Ky do të jetë një vit fantastik për Tiranën, ne do të hapim disa kantiere pune. Në Tiranë, shumë shpejt do të fillojmë me sheshin “Skënderbej”, do të fillojmë fillimisht me dy muaj konsultime publike për sheshin “Skënderbej”, për t’u siguruar që më pas në fund të këtij projekti, ne të kemi ndoshta sheshin më të bukur në rajon, kur vjen puna për një hapësirë që i akomodon të gjithë dhe është simboli kombëtar i Shqipërisë. Në sheshin “Skënderbej” do të vendosen gurë dhe pllaka nga e gjithë Shqipëria, për të treguar unitetin kombëtar, pemë e bimë nga e gjithë Shqipëria, për të treguar përfaqësimin kombëtar dhe besoj se ky është vetëm një nga shumë projekte që Tirana do kthehet në kantier ndërtimi për këtë vit.
Cila është domethënia e bluzës suaj, me Supermen?
Sot, në fakt e kemi orientuar gjithë ditën drejt fëmijëve dhe në garderobën time, përveç kostumeve të mërzitshme ishte e vetmja gjë më fëminore, për të ulur pak edhe tensionin e gjithë këtyre ditëve që kemi pasur. E marrim ndonjëherë shumë seriozisht arenën publike, sillemi ndonjëherë si gladiatorë. Duhet të kujtojmë në fakt që ka ditë më të bukura në jetë dhe Dita e Verës është në fakt dita që na kujton që ka më shumë në jetë sesa cic-micet e politikës, sherret dhe protagonizmi i tepërt.Ndaj dhe unë sot isha një çikë më shumë fëmijë sesa kryetar bashkie.
Fanela e Tiranës?
Fanela e Tiranës është një çështje që është duke u diskutuar. Fatmirësisht fanela e sotme ishte fanela e basketbollit ku ne jemi të parët, me të rinjtë e Tiranës. Ndërkohë në disa fanela të tjera nuk jemi më të parët por duhet të jemi të parët. Këtë javë besoj, i kam kërkuar mazhorancës së aksionerëve që të bëjnë një mbledhje të aksionerëve. Unë nuk e kam për herë të parë që drejtoj kompani publike. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është kompania më e madhe publike, arritëm ta nxjerrim rentabël. Ujësjellës-kanalizimet për herë të parë do t’i nxjerrim me fitim këtë vit.
Unë jam mazhorancë në ujësjellës-kanalizimet e Tiranës. Në minorancë kam kryetarin e bashkisë së Vorës dhe të Kamzës, Xhelal Mziun dhe Fiqiriun e Vorës. Fakti që nuk biem dakord politikisht nuk më pengon të menaxhoj një kompani eficente. Kështu që argumenti që kam bërë edhe për Tiranën është që ata që kanë shumicën duhet të thërrasin pakicën që është Bashkia e Tiranës, në një mbledhje të aksionerëve dhe duhet të bëjmë një bilanc se si shpenzohen paratë. Ne nuk mund të bëjmë blerje të çmendura. Në Shqipëri e kemi të bukur fjalën “duhet t’i shtrimë këmbët sa kemi jorganin”.
Në qoftë se ju më thoni që unë të mos bëj një çerdhje apo një kopësht për të paguar një lojtar që ka luajtur 7 minuta, 130 mijë euro, më shumë sesa Ronaldo, unë gjithmonë do zgjedh të bëj shkolla e çerdhe sesa të paguaj lojtarë që nuk janë fare në Tiranë tani. Kështu që në këtë sens të gjitha këto duan më pak histeri dhe më shumë pjekuri e vendime të mira.
Kryeministri pse nuk ishte i pranishëm?
Duhet të pyesni kryeministrin. Ka pasur një seri aktivitetesh sot, ka ardhur vonë nga një udhëtim jashtë vendit kështu që shpresoj që edhe kryeministri si njeri që është, dhe ai të gjejë një orë apo dy orë shplodhje në një Shqipëri që nuk të jep kurrë pushim. Kështu që shpresoj që edhe ai po rikuperon energjitë për një vit shumë aktiv që pret atë dhe gjithë qeverinë tonë.
Diskutime rreth kësaj post