Teksa puna vijon në disa segemente në kryeqytet, edhe Veliaj synon të vijojë të jetë në krye të Bashkisë më të madhe në vend. Në inaugurimin e segmentit të dytë të Bulevardit të Ri, Veliaj ka marrë edhe mbështetjen e Edi Ramës edhe për një mandat të dytë si kryebashkiak i Tiranës.
Kryeministri Rama theksoi se bashkë me kryebashkiakun Veliaj në mandatin tjetër qeverisës do të behet shumë me tepër se sa është bërë në këto tre vite duke siguruar për realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës.
“Sëbashku me projektet e qeverisë për Tiranën sëbashku me një sërë projektesh që shpresojmë të financohen me partnerët, na jep mundësi që të themi jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë së Tiranës ne do të bëjmë shumë tepër se çfarë është bërë në shumë vite sëbashku, por në mandatin e ri qeverisës ne do të bëjmë me siguri me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë e Tiranës shumë më tepër se sa është bërë në këto tre vite të bashkisë së Tiranës”, theksoi Rama.
Duke vlerësuar transformimin që ka pësuar e gjithë kjo zonë ku po ndërtohet bulevardi i ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, Kryeministri vlerësoi përkushtimin e Bashkisë së Tiranës dhe të kryebashkiakut Veliaj. “Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet që përcaktuan ecurinë e tij në katër vitet para zgjedhjes së Erionit në krye të bashkisë do të duheshin 60 vjet për të arritur këtu ku jemi sot dhe mbase dhe 30 vjet të tjera për të shkuar aty ku faktikisht do të shkojmë deri në fund të vitit të ardhshëm. E gjitha kjo sepse kemi organizuar një punë të përbashkët. Jemi koordinuar më së miri dhe është bërë e mundur sinergjia e të gjithë aktorëve dhe faktorëve ku padyshim mbetet e çmuar prania e Fondit të Abu Dabit”, nënvizoi Rama.
Teksa komentoi projektin, Rama dhe se Tirana tashmë do të ketë edhe një sipërfaqe të gjelbër të krahasueshme për nga përmasat me Parkun e Liqenit. “Jo vetëm që kemi një aks të ri ekologjik në vijën e lumit të Tiranës, jo vetëm me kryerjen e këtyre punimeve krijohet një mundësi e re qarkullimi për banorët. Por së shpejti do të marrë jetë dhe një park i ri qendror dhe gjithë volumi i hapësirës së gjelbëruar dhe i atraksioneve të një parku, një volum plotësisht i krahasueshëm me atë që sot është Parku ekzistues i Liqenit të Tiranës dhe kjo është një vepër që është e dyta në historinë e qytetit në përmasën e gjelbër pas parkut të liqenit të Tiranës”, shtoi Rama.
Diskutime rreth kësaj post