Nga Rrogozhina, drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u tregua i bindur në fitoren e zgjedhjeve vitin tjetër. Sipas Veliajt, përsa kohë opozita do të vazhdojë të djegë goma si talebanët dhe nuk ka ide, PS do të fitojë sërish.
“Po shikoja dje këta që vazhdojnë të djegin goma. E dini pse e bëjnë? Sepse janë të dështuar sa herë përballen me ne, me vulgaritetin e tyre, me djegien e gomave, me agresivitetin, me gjuhën e dhunës. Nuk arrijnë të kuptojnë dot se në 2024-ën Tirana është tjetër gjë, Rrogozhina është tjetër gjë. Sot gara duhet të jetë mes ideve.”
Kryebashkiaku Veliaj tha se PS ka treguar që bashkëpunon me drejtësinë.
“Kur shikon që edhe kryetari i Bashkisë bashkëpunon me drejtësinë, është gati që të japë të gjitha shpjegimet, tregon se kur qeverisin socialistët vendosin një raport normal me të gjitha institucionet. Iku koha kur garda vriste protestuesit, iku koha kur presidenti shkonte dhe rrihej me policët bashkiakë. Sigurisht, ai që punon do duhet të japë edhe llogari për punët që ka bërë, dhe do duhet të japë sqarime. Por, ne nuk jemi me dy fytyra, që në një rrugë të thuash: ‘Bravo drejtësia dhe vazhdo merru me bashkinë’, ndërsa në rrugën tjetër të thuash: ‘Poshtë drejtësia, se me ke futur babin në arrest shtëpie’”.
Në takimin mirënjohës me strukturat socialiste të zonës, Veliaj tha se falë ndryshimeve dhe investimeve jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, nga të fundit në rajon, tashmë Shqipëria është kthyer në shembull të ndryshimit.
Diskutime rreth kësaj post