Kur na ndajnë edhe pak orë nga koncerti i madh falas në sheshin “Skënderbej”, këngëtarja Rita Ora u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe të dy së bashku ftuan qytetarët që t’i bashkohen këtij super eventi, që do të festojë Tiranën si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Rita Ora është rikthyer në Tiranë. Këtë vit, Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe teksa kemi pasur një vit fantastik me shumë aktivitete, energji dhe të rinj nga e gjithë Europa, kemi treguar se ne, të rinjtë e Shqipërisë, të rinjtë e Kosovës, jemi po aq europianë, po aq mendjehapur, po aq zemërhapur dhe të talentuar, ashtu si edhe Rita vetë është prova domethënëse e talentit shqiptar”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falenderoi Rita Orën për shembullin pozitiv që u jep të rinjve dhe të rejave shqiptare. Veliaj theksoi se Rita është shembulli se si përmes punës dhe sakrificës arrihen gjërat e mëdha në jetë. “Duhet ta pranojmë se kombi ynë është një komb i vogël, i ndarë në disa shtete, por pyetja është: Si mundet një komb i vogël të japë një mesazh të madh? Këtë mund ta bëjmë me shembuj pozitivë, ndaj jam shumë i lumtur që Rita Ora është një shembull që na bën shumë krenar, që frymëzon vajza të vogla, djem të vegjël, se gjërat arrihen me punë, me shumë sakrificë”, deklaroi Veliaj.
Nisur nga ngjarja e fundit në Kosovë, e dhunimit të një vajze 11-vjeçare, koncerti i Rita Orës do të përcjellë një mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare, për të respektuar më shumë gratë dhe vajzat. “Misioni yt, misioni i familjes tënde, për të pasur një komunikim të vazhdueshëm se si djemtë në Shqipëri dhe në Kosovë t’i respektojnë më shumë vajzat, se si të rinjtë të besojnë te talenti i tyre me punë, me djersë, me përpjekje, është një mesazh edhe për imazhin e Shqipërisë dhe imazhin e Kosovës”, tha Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post