Shën Valentini, ishte një ditë e veçantë jo vetëm për çiftet që kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre, por edhe për kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj.
Nga të gjitha dashuritë që ka celebruar gjatë këtyre viteve në krye të bashkisë së Tiranës, asnjëra nuk ka qenë si ajo e djeshmja. Ethemi, 83-vjeçar dhe Vangjelica, 70-vjeçare janë njohur në azil, në Tiranë.
Të ftuar në ‘Top Magazine’, ata rrëfyen si u njohën dhe e pëlqyen menjëherë njëri-tjetrin. Vangjelica, pas disa vitesh që jetoi në Greqi, u kthye në Shqipëri për të mos humbur pensionin. Pasi përfundoi në azil, u njoh me Ethemin, i cili e pëlqeu sapo e pa. Pas tri ditësh, tregon ajo, ai i propozoi që të rrinin bashkë, meqenëse kishte vënë re që ajo ishte edhe pa mbështetje.
Pasi Vangjelica pranoi, ata prej një viti e ndajnë kohën bashkë në azil. Por nuk flenë bashkë. Sipas rregullave të azilit, burrat dhe gratë jetojnë në ambiente të ndara.
Me ndihmën e kryebashkiakut të Tiranës, Ethemi dhe Vangjelica kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë. Para se të celebronte këtë dashuri, Veliaj tha se kjo ishte martesa që ka moshën më të madhe që ai ka celebruar, por, siç theksoi ai, ka pasur shumë martesa të çuditshme, të cilat i kanë bërë përshtypje.
Pas përfundimit të ceremonisë, çifti i ri është përlotur.
Diskutime rreth kësaj post